DASH-i i Trump ‘përvëlon’ Berishën, vlerëson goditjen e tij nga SPAK dhe i kujton se është non grata si i korruptuar

Kryesore

Publikuar: 21/03/2025

DASH-i i Trump ‘përvëlon’ Berishën, vlerëson goditjen e tij nga SPAK dhe i kujton se është non grata si i korruptuar

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve të 2025-ës, ku vlerësohet puna e autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e pastrimit të parave.

DASH vlerëson arritjet e SPAK në luftën e vazhdueshme me këto fenomene dhe veçon vënien nën hetim të ish-kryeministrit Sali Berisha për aferën ‘Partizani”. Gjithashtu DASH përmend vënien nën hetimin edhe të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi lidhur me këtë aferë.

“SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe sekuestrimet dhe kreu hetime financiare dhe pasurore paralele kur dyshonte për pasuri të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Në vitin 2023, SPAK sekuestroi pasuri me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi me arrestimet dhe sekuestrimin e pasurive të ish-zyrtarëve të lartë. Në shtator 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të emëruarin sipas “Aktit të Aprovimeve për Operacionet e Jashtme dhe Programet e Ndërlidhura të Departamentit të Shtetit, 2021”, neni 7031(c), Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare që përfitonin interesat e familjes së tij. SPAK gjithashtu akuzoi dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe pjesën e dhëndrit në kompani të lidhura me korrupsionin”,- thuhet në reaportin e DASH.

Në raport, lidhur me Shqipërinë, thuhet se krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë, sipas autoriteteve të ligjzbatimit shqiptar.

Këto grupe të krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët ekspozojnë krime, teknika komunikimi dhe pastrimi parash gjithnjë e më të sofistikuara. Ata operojnë në të gjithë Ballkanin, si dhe në Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara, Kanada, Amerikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Turqi. Rrjetet kriminale shqiptare kanë qasje të drejtpërdrejtë tek prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut dhe rrjetet e trafikimit që e sjellin kokainën në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion. Krimi i dhunshëm në Shqipëri, përfshirë vrasjet, shpesh lidhet me krimin e organizuar, dhe gjyqtarë, prokurorë, policë, politikanë, gazetarë dhe aktivistë janë subjekt i frikësimit“, thuhet në raport.