Dhurata Çupi në listë të hapur, demokratja: S’kemi luksin të merremi me kritika, duhet të jemi të gjithë bashkë

Politikë

Publikuar: 18/03/2025

Dhurata Çupi në listë të hapur, demokratja: S’kemi luksin të merremi me kritika, duhet të jemi të gjithë bashkë

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka komentuar procesin e primareve dhe listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 11 majit, ku vetë është renditur në listë të hapur.

“Jam pjesë e PD që nga fillimet e saj dhe kam hyrë në strukturat qendrore pas një vote në Këshillin Kombëtar në vitin 2009. Nuk kam asnjë zhgënjim.

Do të isha e zhgënjyer nëse nuk do të më jepej mundësia për të kandiduar, por kjo nuk ka ndodhur”, tha ajo  në studion e News24.

Sipas saj, primaret i kanë dhënë një shtysë pozitive opozitës dhe kanë nxjerrë në pah figura që ndihmojnë rotacionin brenda partisë.

Lista e PD ka figura të konsoliduara politike prej 34 vitesh, por edhe emra të rinj. Nuk kam asnjë kritikë për listën e hapur apo të mbyllur. Ne nuk kemi luksin të merremi me kritika, por duhet të jemi të gjithë bashkë dhe pranë qytetarëve”, deklaroi Çupi.

Ajo e cilësoi listën e hapur si një proces me dinjitet politik, duke theksuar se qëllimi kryesor i PD-së mbetet rikthimi në pushtet dhe ndalja e korrupsionit qeveritar.

“PD ka një program dinjitoz për qytetarët dhe lista e hapur është një mundësi për të garantuar përfaqësim të drejtë. Synimi është i qartë: të sjellim PD-në në pushtet dhe t’i japim fund nivelit të lartë të korrupsionit që ka mbërthyer vendin,” tha ajo.