Tonin Pjetrushi, vëllai i ish shefit të krimeve në Shkodër Prel Pjetrushi, është arrestuar nga autoritetet suedeze si dhe është dënuar me 14 vite burg për plagosjen e rëndë për hakmarrje të të miturit 12-vjeçar, J. Tafilaj, nipi i vëllezërve Admir dhe Genci Tafili. Tonin Pjetrushi, i cili në dosjen penale rezulton me emrin Gëzim Aliaj, u arrestua dhe u dërgua para drejtësisë 10 vite pas krimit. Ngjarja ndodhi më 31 dhjetor të vitit 2013, në Boras të Suedisë, teksa i mituri po kthehej në shtëpi bashkë me kushëririn e tij. Familja e Tafilit kishte shkuar në Suedi, duke kërkuar azil për arsye sigurie.


Një person i maskuar ka qëlluar katër herë me armë zjarri pistoletë dalin 12-vjeçar. Më pas, autori, ka nxjerrë një thikë, duke e goditur disa herë djalin në fyt. Mediat suedeze shkruajnë se sulmuesi i ka lënë thikën në fyt të miturit si një simbolikë hakmarrje.



(Dy të miturit)
I plagosur me thikë ka mbetur edhe kushëriri i të miturit, në përpjekje për të penguar autorin. Pas krimit autori është larguar me shpejtësi, duke u zhdukur. Falë ndihmës së një kalimtari, i cili thirri ambulancën, 12-vjeçari arriti të mbijetonte pasi qëndroi mbi dy javë në gjendje kritike për jetën.

(Vendi i ngjarjes)

(Genci Tafili)
Fill pas kësaj ngjarje Admir Tafili dhe Genci Tafili nga burgu akuzuan direkt Prel Pjetrushin, duke e konsideruar këtë të fundit si organizatorin kryesor të hakmarjes në tentativën e vrasjes së nipit të tyre, vetëm 12-vjeç. Tafilët i kërkuan Pjetrushit të heqë dorë nga fëmijët dhe gratë, dhe ta zgjidhë çështjen pikërisht me ata të dy.

(Prel Pjetrushi)
Ndërkohë nga ana tjetër, Pjetrushi reagoi asokohe duke pohuar se ai dhe familja e tij nuk kishte lidhje në atentatin në Suedi. “Publikisht po them që fisi dhe familja e Prel Pjetrushit nuk shkon kurrë në Suedi të vrasë gra e fëmijë. Nëse fisi im do ketë gisht, do e pranojmë publikisht”, tha Pjetrushi në fillim të vitit 2014, disa ditë pas ngjarjes.
Por hetimet e prokurorëve suedezë identifikuan Gëzim Aliajn allias Tonin Pjetrushi si autorin e dyshuar të krimit, i shpallur fajtor nga gjykata vitin e kaluar. Para prokurorëve dhe gjyqtarëve suedezë, Tonin Pjetrushi ka pretenduar se krimin e kishte kryer vëllai i tij, i cili kishte ndërruar jetë. Por, gjurmët e gishtave të tij, në karikatorin e pistoletës, bindën hetuesit se ai ishte autori i krimit. Karikatori kishte rënë në vendin e ngjarjes gjatë përleshjes së autorit me dy të miturit, në përpjekje për të vrarë 12-vjeçarin.















Hasmëria mes familjeve Pjetrushi dhe Tafili
Hasmëria mes familjeve Pjetrushi dhe Tafili kanë nisur në 2 gusht të vitit 2000 ku policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Ky i fundit në atë kohë akuzohej se kishte vrarë Skënder Gecin. Gjatë operacionit ka mbetur i vrarë Bahri Tafili dhe Drejtori i Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari. Për këtë ngjarje, djemtë e Bahri Tafilit, Genci dhe Admir Tafili kanë akuzuar si vrasës së babait të tyre, Prel Pjetrushin.
Pas operacionit, policia arrestoi djalin e madh, Genc Tafilin, nën akuzën e vrasjes në bashkëpunim të Arben Zylyftarit, për të cilën u dënua me 25 vite burg. Genci Tafili ka mohuar në vijimësi akuzën për vrasjen e Arben Zylyftarit.
Në vitin 2001, ndaj shefit të krimeve të Shkodrës, Prel Pjetrushit kryhet një atentat, ku derdhet një breshëri plumbash në momentin që ai po futej në banesë. Pavarësisht se merr disa plumba në trup, shefi krimeve arrin të shpëtojë dhe pas shërimit largohet për në SHBA për arsye sigurie. Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi pas shumë operacioneve policore, djalin e vogël të familjes Tafili, Admirin, dhe në vitin 2002, ai u dënua me 22 vite burg për atentatin në fjalë.
Në 2 tetor të vitit 2010, Tafili arratiset nga burgu, duke përfituar nga një leje e posaçme për të takuar familjarët. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan të gjithë policët e togës së shoqërimit, mjeku i burgut dhe u pezullua nga detyra drejtori i burgut, por më 27 korrik të vitit 2011, për të 13 të akuzuarit u dha pafajësia.
Megjithëse u bënë shumë kërkime nga policia, nuk u bë e mundur kapja e Admir Tafilit, i cili më 18 mars të vitit 2011, vetëm 6 muaj pas arratisjes spektakolare, Admir Tafili qëllon për vdekje pas një prite pranë banesës së tyre, dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, shtetasit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi. Një muaj pasi kreu vrasjen e dyfishtë, Admir Tafili, u prangos në Tiranë nga forcat Renea. Gjykata e dënoi Admir Tafilin me burgim të përjetshëm.