Babë e bijë apo çift? Shtohet misteri për vrasjen e 24-vjeçares palestineze në Tiranë

Kronike

Publikuar: 28/02/2025

Babë e bijë apo çift? Shtohet misteri për vrasjen e 24-vjeçares palestineze në Tiranë

Dy personat që shihni në foto, janë çifti i palestinezëve 24 vjeçarja Rayyan Alwan dhe 49 vjeçari Fadi Alwan. Këto filmime tejet normale të kapura në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza”, janë në fakt pikënisja e një ngjarjeje tragjike.

Në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë, në një apartament të marrë me qira, Policia gjeti të renë pa shenja jete dhe me plagë në trup. Alarmin e dhanë pronarët e këtij apartamenti, të cilët kishin shkuar për të kërkuar disa dokumente identifikimi, por askush nuk u ka hapur derën.

Policia e Tiranës ndërkohë ka bërë gati letërporosinë për autoritetet greke për të kërkuar informacion në lidhje me vrasjen e 24-vjeçares Rayyan Alwan.

Ata kanë mbërritur në vendin tonë më 21 Shkurt, ndërsa Fadi Alwan është larguar 1 ditë më pas drejt Greqisë. Kjo arratisje e menjëhershme e tij, e bën atë të dyshuarin kryesor për vrasjen.

49-vjeçari është larguar me taksi dhe është nisur direkt për në aeroport.

Teksa hetimet vijojnë, ky rast është i mbuluar nga hijet e misterit. Që nga motivi i krimit e madje deri te raporti mes viktimës dhe palestinezit. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë babë e bijë, duke marrë parasysh diferencën moshore.

Pritet që 49 vjeçari të shpallet në kërkim ndërkombëtar me procedurë të përshpejtuar.

Detajet nga krimi i rëndë

Çifti me origjinë nga Palestina jetonte në Mynih dhe në datën 19 shkurt ishin futur në Shqipëri nga Aeroporti “Nënë Tereza”, duke u paraqitur si turistë.

Po atë ditë kishin marrë banesën me qira ku edhe ndodhi krimi dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur më 22 shkurt.

Pasi kreu krimin me mjet prerës, ai i mori asaj celularin dhe mjetet e identifikimit dhe u largua sërish nga Rinasi.

Dyshohet se vrasja është kryer me paramendim, ndërsa trupi i pajetë i saj u zbulua vetëm ditën e djeshme nga policia.

Pamjet e sigurisë e tregojnë të qetë autorin edhe kur largohet nga Shqipëria.Kjo ishte hera e parë e tyre që vinin në Shqipëri, por rrethanat e ngjarjes mbeten ende enigmatike.