30-vjeçarja e huaj gjendet e vrarë me thikë brenda hotelit ku qëndronte prej më shumë se 1 jave! Dyshime mbi partnerin e saj të arratisur, policia në kërkim të tij

Kronike

Publikuar: 27/02/2025

30-vjeçarja e huaj gjendet e vrarë me thikë brenda hotelit ku qëndronte prej më shumë se 1 jave! Dyshime mbi partnerin e saj të arratisur, policia në kërkim të tij

Një 30-vjeçare e huaj është gjetur e vrarë me thikë brenda një dhome hoteli, ku ajo ishte akomoduar me partnerin e saj,10 ditë më parë.

Ishin pronarët e hotelit që njoftuan policinë, pasi çifti kishte marrë një dhomë me qira dhe prej dy ditësh nuk ishin parë më. 

Kur policia u fut në dhomën e hotelit, gjeti trupin e gruas së re të pajetë me shenja thike në pjesën e barkut. Burri me të cilin ajo kishte marrë me qira dhomën e hotelit nuk është gjendur aty, duke u arratisur me të gjitha dokumentet e tij dhe të viktimës. Vetëm 10 cent janë gjetur në dhomën ku u gjet e pajetë e huaja, pasi çdo gjë tjetër ishte marrë nga partneri i arratisur. 

Për policinë ky është autori i dyshuar. Ai është shpallur në kërkim nga blutë, por dyshohet se është larguar nga Shqipëria. Gjaku i 30-vjeçares së pajetë është gjetur i tharë, duke ngritur kështu dyshimet se mund të jetë vrarë para një ose dy ditësh, por këtë do ta përcaktojë ekspertiza në Institutin Mjekoligjor, ku dhe trupi i viktimës është dërguar. 

Çifti raportohet të kenë ardhur në Tiranë më datë 19 shkurt 2025. Gruaja ka qenë e mbuluar dhe komunikonte me partnerin e saj kryesisht në gjuhën gjermane, por edhe në tjetër që besohet se i përket Lindjes së Mesme. 

Sipas pronarëve të hotelit, çifti nuk u ka paraqitur asnjë mjet identifikimi, me pretekstin se nuk i kishin me vete. 

“Rreth orës 12:55, në rrugën “Gjon Muzaka”, është gjetur pa shenja jete në banesën që kishte  marrë me qira, një shtetase (dyshohet e huaj), rreth 30 vjeçe. Gjatë këqyrjes paraprake të trupit janë konstatuar plagë që dyshohet se janë shkaktuar me mjet prerës.

Trupi i pajetë do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Grupi hetimor po punon për identifikimin e kësaj shtetaseje, sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton Policia. /Shqiptarja.com