Origjinale apo imitim? Qeveria propozon ndryshime në ligj për regjistrimin e markave

Aktualitet

Publikuar: 21/02/2025

Origjinale apo imitim? Qeveria propozon ndryshime në ligj për regjistrimin e markave

Nga lodrat te veshjet e këpucët, pa kursyer as flamurin kombëtar… Në dyqane apo tregjet e Tiranës mund të blesh lirshëm produkte false.

Kryesisht të ardhura nga Kina, ato i gjen të ekspozuara ngado, në pritje të blerësve që joshen nga çmimet e lira.

Për të kufizuar qarkullimin e këtyre produkteve, me qëllim garantimin e konkurrencës, Ministria e Financave ka hartuar dhe depozituar në Kuvend projektligjin “Për markat tregtare”. “Shtohen nocione të reja në ligj. Te pjesa e markave shtohen masa kufizuese. Duke qenë se problematika e mallrave të falsifikuara është goxha e zhvilluar, atëherë si ta kufizojmë atë duke bërë që institucionet të ndërveprojnë, me në krye ISHMT”, tha për A2 CNN ekspertja e pronësisë intelektuale, Albana Laknori.

Projektligji i ri synon të lehtësojë procedurën që duhet të ndjekë një biznes për regjistrimin e emrit si dhe sjell risi sa i takon markave ndërkombëtare duke qenë se tashmë jemi pjesë e një tregu të hapur global. “Do të përfitojë vendi, bizneset, por edhe qytetarët. Vetëm se duhet të punojmë për zbatimin tij”, shtoi Laknori.

Baza e re ligjore, ndër të tjera është edhe kusht i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 “Në 33 kapitujt, kapitulli 7 i dedikohet pronësisë intelektuale. Ne do të përafrohemi me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kështu që, ky ligj është për të mirë.”

Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, mallrat e kopjuara arrijnë të zënë rreth 25 për qind të tregtisë në vend.