Primaret ndajnë grupin e PD! Disa deputetë kundër Berishës, pas Bushatit e Xhaferrajt nuk kandiojnë as Doda, Bano e Koliqi

Politikë

Publikuar: 19/02/2025

Primaret ndajnë grupin e PD! Disa deputetë kundër Berishës, pas Bushatit e Xhaferrajt nuk kandiojnë as Doda, Bano e Koliqi

Jo vetëm Helidon Bushati dhe Ferdinand Xhaferraj. Listës së deputetëve që kanë refuzuar procesin e primareve, përmes të cilave Sali Berisha do të zgjedhë kandidatët për deputetë i janë shtuar edhe të tjerë ligjvënës të grupit parlamentar demokrat. 

Report Tv ka mësuar se veç Bushatit e Xhaferrajt, nga grupi aktual i deputetëve nuk do të futen në primare as deputeti i qarkut të Tiranës Petrit Doda, Eralda Bano e Fierit e Emilja Koliqi e Shkodrës. Me gjasë, as deputetja Oriela Nebijaj, e cila ndonëse është afruar në PD, nuk do të jetë në garën e primareve. 

Jashtë primareve, por jo listave të kandidatëve për deputetë janë edhe 13 ligjvënës të tjerë të grupit parlamentar të PD. Kjo pasi krahas Berishës, Flamur Nokës e Edi Palokës që drejtojnë fushatën në të gjithë vendin, të tjerëve u është besuar drejtimi politik i qarqeve. Ata do të jenë në zonën e sigurt të listave, duke siguruar një mandat të radhës parlamentar. Garës së primareve do t’i nënshtrohen rreth 20 deputetë aktualë të PD-së, bashkë me rreth 300 emra të tjerë që kanë shprehur kandidaturën për t’u futur në primare.

Mes këtyre 300 emrave, surprizë është kandidimi i disa figurave të reja që synojnë të jenë përfaqësuesit e PD në parlament si Andi Mustafaj, Nikola Kedhi, Ish gjenerali Pirro Ahmetaj, avokati Përparim Çaça, apo Drejtoresha e Komunikimit në PD Floriana Garo. Por, në primaret e Berishës kandidojnë edhe emra si Gjin Gjoni, ish-gjyqtari sheik që shmangu vettingun. Primaret në PD do të mbahen më 1 mars. Garuesit duhet të kalojnë një kuotë minimale votash, për të kaluar testin e parë, e më pas do të jenë kryesia që do të vulosë në bazë të kontributit politik listën finale.

DEPUTETËT QË S’DO MARRIN PJESË NË GARËN E PRIMAREVE

-Helidon Bushati 

-Ferdinand Xhaferraj 

-Petrit Doda 

-Eralda Bano 

-Emilia Koliqi 

-Oriela Nebijaj? 

DEPUTETËT QË NUK FUTEN NË PRIMARE PASI JANË DREJTUES POLITIKË

-Sali Berisha Kryetar Partie 

-Flamur Noka Drejtues Fushate 

-Edi Paloka Drejtues fushate

-Albana Vokshi kryetare e Forumit të Gruas 

-Oerd Bylykbashi Drejtues politik Durrës 

-Gazment Bardhi Drejtues politik Fier 

-Agron Gjekmarkaj Drejtues Politik Lezhë 

-Flamur Hoxha Drejtues Politik Kukës 

-Xhelal Mziu Drejtues Politik Dibër 

-Tomor Alizoti Drejtues Politik Elbasan 

-Tritan Shehu Drejtues Politik Gjirokastër 

-Bujar Leskaj Drejtues Politik Vlorë 

-Ina Zhupa Drejtuese Politike Vlorë (Për Sarandën)

/Shqiptarja.com