Ditën e sotme në orën 17:00, Partia Demokratike do të mbajë protestën e radhës. Ndryshe nga protestat e mëparshme të cilat PD i konsideroi si ‘mosbindje civile’, ditën e sotme do të rikthehen fjalimet para militantëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha është shprehur se ky tubim do të jetë më madhështori. Sipas tij, populli shqiptar, qytetarët e Tiranës zbresin në shesh si dëshmitarë të agut të fitores.
Një ditë më parë ish-kryeministri Berisha zhvilloi një takim me aleatët e Federatës së Bashkuar në selinë e PD. Ai ftoi të gjitha forcat politike që të bashkohen në frontin opozitar për t’u përballur me atë që e quan “e keqja që kemi përpara”.
“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara”, u shpreh Berisha.
Por i pyetur për skenarin e protestës, Berisha u shpreh i rezervuar.
“Skenari nesër do të shpallet plotësisht se nuk duhet kundërshtari të di të gjitha, armiku të di të gjitha taktikat tona”, tha ai.
Ndërkohë, policia ka paraqitur planin e masave për tubimin e opozitës. Uniformat blu thonë se demokratët kanë njoftuar policinë për një tubim nga ora 17:00 deri në orën 20:00. Protesta pritet të zhvillohet para kryeministrisë.
Për këtë arsye, policia thotë se do të kufizohet lëvizja në disa segmente rrugore.
Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;.
Ndërkohë nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia njofton po ashtu se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e sotme, nga ora 17:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, njofton policia.