Kryeministri Edi Rama u pyet në Spanjë nëse po dështon marrëveshja me Italinë për emigrantët, por kreu i qeverisë u përgjigj duke thënë se për këtë duhet të pyesni Melonin.
Sipas kryeministrit Rama roli i Shqipërisë në këtë marrëveshje është shumë i thjeshtë, duke theksuar “se i është kërkuar nga Italia për ta ndihmuar”.
“Nuk kam asnjë mendim për këtë. Pyetje duhet ti drejtohet Melonit. Për ne të qenit pjesë e kësaj marrëveshje është një rol i thjeshtë. Na u kërkuar nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon ne ndihmojmë gjithmonë sepse marrëdhënia jonë është mijëvjecare. Ne i detyrohemi shumë Italisë, sidomos për atë cka Italia ka bërë pas rënies së komunizmit. Na ka ndihmuar shumë në momente tejet dramatike.
Kur patëm tërmetin shkatërrues trupat italiane të emergjencave civile erdhën dhe rrezikuan jetën e tyre për shpëtuar njerëzit nga rrënojat. Kështu që ata na i kërkuan këtë dhe ne e ndihmuam. Sic mendoj cdo vend evropian, cdo komb evropian duhet të ndihmojë tjetrin. Është një operacion që është 100% nën vëzhgimin italiane. Qendrat kanë tipare ekstra territoriale. Pra gjithçka është italiane dhe duhet ta pyesni palën italiane jo ne”, tha Rama.
Pyetje: Ju nuk mendoni të keni një marrëveshje të tillë me Spanjën kur Shqipëria të jetë në BE?
Rama: Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet shumë me gjeografinë. Ne jemi të bashkuar nga deti me Italinë. E vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se emigrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e BE dhe vihen në lëvizje procedura të tërë. Ata ndalojnë në Shqipëri. Sa bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri.