I dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell ka publikuar fondet e USAID që organizatat jo qeveritare në Ballkan kanë përfituar për 4 vite, konkretisht gjatë periudhës 2020 – 2024.
Në Shqipëri OJF-të kanë përfituar 189 milonë dollarë për 4 vite. Në total për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, USAID ka dhënë 1.7 miliardë dollarë.
Kosova: 537 million dollarë
Bosnje Hercegovina: 402 million dollarë
Maqedonia e Veriut: 290 million dollarë
Serbia: 209 milion dollarë
Shqipëri: 189 milion dollarë
Mali i Zi: 77 milion dollarë
Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, presidenti Donald Trump vendosi një ngrirje 90-ditore të ndihmave për vendet e tjera. Katër ditë më vonë, Peter Marocco, i emëruar politik që nga administrata e parë Trump, hartoi një interpretim më të ashpër se ç’pritej të këtij urdhri, duke mbyllur mijëra programe në mbarë botën, duke shkaktuar shkurtime dhe shkarkime.
Dhjetëra zyrtarë të lartë janë larguar me leje të detyruar, mijëra kontraktorë janë shkurtuar dhe punonjësve iu tha të hënën të mos hyjnë në selinë qendrore në Uashington. Dhe faqja e internetit e USAID-it dhe llogaria e saj në platformën X nuk janë funksionale.
Kjo është në kuadrin e masave që administrata e Presidentit Trump po ndërmerr në qeverinë federale dhe për programet e saj. Por USAID-i dhe ndihma për vendet e tjera janë ndër ato që janë goditur më shumë. Sekretari Rubio tha se qëllimi i administratës ishte një rishikim, program pas programi, për të parë se cilat projekte e bëjnë “Amerikën më të sigurt, më të fortë ose më të begatë”.
Vendimi për mbylljen e programeve të financuara nga Shtetet e Bashkuara gjatë rishikimit 90-ditor nënkuptonte se SHBA-të “do të merrnin shumë më tepër bashkëpunim” nga përfituesit e ndihmës humanitare, për zhvillimin dhe sigurinë, tha Sekretari Rubio.
Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), i drejtuar nga zoti Musk, ka nisur një përpjekje gjithëpërfshirëse, të autorizuar nga Presidenti Trump, për të shkurtuar punonjësit e qeverisë dhe për të shkurtuar triliona dollarë nga buxheti i qeverisë. USAID-i është një nga objektivat e tij kryesore. Zoti Musk pretendon se fondet e USAID-it janë përdorur për të ngritur programe vdekjeprurëse dhe e quajti atë një “organizatë kriminale”.
Sa shpenzojnë SHBA-të për ndihmën për vendet e tjera?
Në total, Shtetet e Bashkuara shpenzuan rreth 40 miliardë dollarë në ndihma për vendet e tjera në vitin fiskal 2023, sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit, një entitet jopartiak.
Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i ndihmës humanitare në nivel global, megjithëse disa vende të tjera shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për këtë qëllim. Ndihma për vendet e tjera në përgjithësi arrin në më pak se 1% të buxhetit të Shteteve të Bashkuara.
