Prapaskena

Botë

Çështja “Almasri” vijon të trazojë Romën/ Opozita kërkon interpelancë me kryeministren, Meloni ‘delegon’ dy ministra!

Publikuar: 04/02/2025

Çështja për lirimin e jashtëligjshëm nga autoritet italiane të zyrtarit të lartë të Libisë, Osama al-Masri i shpallur në kërkim për krime lufte me urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, vijon të shkaktojë trazira në Romë.

Në mbledhjen e sotme të krerëve të grupeve parlamentare në Romë është dakordësuar për mbajtjen e një interpelance me dyert të mbyllura për çështjen Almasri, raporton Corriere della Sera. Nesër në orën 12:15, ministri i Drejtësisë Carlo Nordio dhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi do t’iu përgjigjen pyetjeve të opozitës lidhur me rastin.

Gjatë takimit opozita ka kërkuar që interpelanca të transmetohet drejtpërdrejt në televizion. Por për të transmetuar sinjalin duhet unanimiteti i grupeve parlamentare, por deri më tani dy partitë e mazhorancës nuk kanë rënë dakord. Kundërshtimin e kanë shprehur Forza Italia dhe Lega.

Do të kishim dashur që qytetarët italianë të mund të dëgjonin informacionin që shqetëson nga afër të gjithë vendin, por ata na mohuan edhe transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv në Rai, i cili duhet të garantohej për çdo ngjarje me rëndësi publike”, tha Davide Faraone, deputeti i Italia Viva-s.

Opozita kishte kërkuar që prezent të ishte edhe kryeministrja Giorgia Meloni e cila duhet të jepte sqarime, por sipas tyre, ajo ka zgjedhur të fshihet pas ministrave të saj.

Meloni fshihet pas ministrave të saj. Nuk është e qartë pse, nëse vijnë ministrat e saj, Meloni nuk vjen në dhomë. Vazhdoni të arratiseni do të shohim nesër se cilat do të jenë versionet dhe kontradiktat e qeverisë”, tha Riccardo Ricciardi nga partia “5Yjet”, raporton “La Republica”

Nuk e kuptojmë pse kryeministrja refuzon të vijë në Parlament”, tha Chiara Braga deputet e Partisë Demokratike.

Në përgjigje të kërkesave të opozitës, Luca Ciriani , ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, tha se qeveria nuk po i shmanget përgjegjësisë, por përkundrazi ka dy ministra që do të përgjigjen për çështjen në fjalë.

“Kryeministrja konsideroi se dy ministrat ishin të mjaftueshëm për të folur. Qeveria nuk po ikën nga Parlamenti. Kemi kërkuar kohë për të hetuar një fakt të bujshëm. Janë dy ministra shumë të rëndësishëm, të aftë për të dhënë përgjigje adekuate”, tha Ciriani.

Opozita kërkon sqarime se përse Osama al-Masri nuk është arrestuar pavarësisht se kishte një urdhër arresti nga Gjykata e Hagës, por në vend të kësaj u riatdhesua me një fluturim shtetëror.

Kujtojmë se drejtësia italiane ka vendosur nën hetim kryeministren Giorgia Meloni dhe dy ministratNordio dhe Piantedosi pasi dyshohet se urdhëroi në mënyrë të kundërligjshme riatdhesimin zyrtarit të lartë të Libisë, Osama al-Masri i shpallur në kërkim për krime lufte me urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.



Më të lexuarat