Plagosi me thikë Gentian Krasniqin pas sherrit në lokal, arrestohet 42-vjeçari në Tiranë

Aktualitet

Publikuar: 31/01/2025

Plagosi me thikë Gentian Krasniqin pas sherrit në lokal, arrestohet 42-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar 42-vjeçarin që plagosi mbrëmjen e djeshme me thikë pas konfliktit për motive të dobëta 46-vjeçarin Gentian Krasniqi.

Aksioni është kryer sot nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacioneve për vendndodhjen e të dyshuarit, që akuzohet për krimin e kryer në rrugën “Siri Kodra”, rreth orës 20:30.

Policia informoi se krimi ndodhi pas një sherri në një lokal, ku besohet se shkak ka qenë një grua.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit mbremjen e djeshme se në rrugën “Siri Kodra”, rreth orës 20:30, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me mjet prerës një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën duke formuar një grup hetimor të posaçëm me qëllim kapjen e autorit dhe dokumentimin e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin G. K., 46 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.