Kush fshihet pas TRITA HOSPITAL? Miliona euro investim me 100 mijë lekë kapital. Skandal me analizat dhe mister burimi i parave

Krim & Korrupsion

Publikuar: 30/01/2025

Kush fshihet pas TRITA HOSPITAL? Miliona euro investim me 100 mijë lekë kapital. Skandal me analizat dhe mister burimi i parave

Në prill 2023, Lindita Hoxha themelon kompaninë e shërbimeve mjekësore Trita Hospital, me kapital 100 mijë lekë. Si administrator ortakja e vetme e kompanisë cakton Arli Sherifin.

Kompania Trita Hospital, me kapital 100 mijë lekë, mbulon një spital në qendër të Tiranë, një investim me vlerë miliona euro.

Historiku i biznesit të zonjës Hoxha nis 7 vite më parë, me kompaninë Dermo Life Akademi, për zhvillimin e aktivitetit në fushën e estetikës. Dermolife Academy, një shkollë profesionale me dy programe studimi, është gjithashtu një investim qindra mijëra euro, me burim të errët. Në vitin 2022 themelon kompaninë Dermolife për kryerjen operacioneve të ndryshme shendetësore, ndërsa në 2024 hap farmacinë Trita. Kompanitë nga viti 2017 deri në 2022, kanë bilance të brishta dhe nuk justifikojnë investimin për ndërtimin e spitalit Trita.

Skandali me analizat

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një problematikë në sistemin shëndetësor, ku një spital privat i ka marrë një mostër për biopsi një qytetari dhe ka harrua t’i bëjë analizën. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Preng Gjomarkaj.

I jam drejtuar Fiksit për një problem me spitalin TRITA HOSPITAL, ndodhet në Tiranë. Kishte një aparaturë për zorrën e trashë, kolonoskopi dhe unë kisha disa probleme. Shkova atje më datë 30 dhjetor 2024. E bëra dhe pagova 160 mijë lekë (të vjetra) se kishte ofertë. Më thanë ke një gjëndër që është 2 cm me 1 cm dhe më thanë gojarisht dhe e shkruajtën në recetë që t’a kemi marrë biopsinë. Më prunë diskun dhe fletën që ishte përshkrimi i kolonoskopisë. Ika dhe prita se mos vjen telefonata, pasi më thanë se do të themi për përgjigjen e biopsisë. Prita deri në datë 21 janar 2025 dhe u shkrova, por s’më kthyen përgjigje”, pohon Gjomarkaj.

Fiksi e pyeti nëse te fleta e përshkrimit shkruhet se janë marrë mostra për biopsi, për mbjellje. “Po, dhe doktori më tha se të janë marrë mostra. Përgjigja zgjaste 20 ditë. Dhe prita këto ditë. Shqetësimet më filluan më shumë se para se ta bëja. U çova mesazh. Më morën në telefon dhe më thonë që biopsia nuk është bërë për arsye se s’ke paguar lekët. Iu përgjigja pak keq. U thashë se ato lekë që kërkuat ato ju paguajta. Çfarë lekësh doni të tjera?! Megjithatë u thashë se duhet ta kishit bërë analizën e biopsisë dhe ta paguaja e ta merrja. Mua ma keni ngacmuar pjesën e gjëndrës. Më mbylli telefonin dhe ndaj iu drejtova Fiks Fare”, pohon qytetari. Ai shton se tani ka shqetësime më shumë se përpara dhe kjo e shtyu që ai t’i denoncojë.

Pas ankesës, 59-vjeçari shkoi në spitalin TRITA HOSPITAL dhe takon punonjësit e spitalit. Ata i kërkojnë se çfarë analize ka kryer, teksa ai i tregon edhe problemin. Më pas e çojnë te një punonjëse që thotë është drejtoreshë. Kjo “drejtoresha” i thotë se do e verifikojë dhe do t’i kthejë një përgjigje pasi s’ka të dhëna.

Qytetari ikën dhe më pas e marrin në telefon nga TRITA HOSPITAL duke i thënë se: “përderisa kanë kaluar shumë ditë nga marrja e materialit ne të sugjerojmë që të bësh edhe njëherë pa kosto dhe të marrim edhe njëherë material për biopsi. Vetëm biopsia do të ketë kosto. Ndjesë që s’ishit informuar nga ana jonë po kjo është zgjidhja. Tani duhet të paguash 100 euro vetëm për biopsinë”. Qytetari i thotë do e ndjekë në gjykata e në institucione të tjera, teksa ajo i thotë se “s’është nevoja të ndiqni këto hapa”.

Qytetari i bën me dije se sëmundja ka avancuar, teksa ajo i përgjigjet se “e kuptoj, ndaj po ju them ta marrim sërish materialin komplet siç duhet”. Ai i thotë se përse s’e bëtë herën e parë, teksa ajo i përgjigjet se “këtu qëndron problemi, pasi ne s’të kemi njoftuar”. Ajo i thotë se po të jap një zgjidhje që është e mirë edhe për spitalin edhe për qytetarin. Qytetari e pyet punonjësen se sa i kushton jeta, pasi me këtë që i kanë bërë ia kanë rrezikuar atij. Ajo i përgjigjet se këto muhabete s’bëhen dhe se kjo është “zgjidhja më e mirë për jetën e tij, unë personalisht do të sugjeroja që ta bëje”.

Këta më thonë ta bëjnë sërish nga e para, të marrin biopsinë dhe të pres edhe 20 ditë të tjera dhe sëmundja ime mund të përparojë se do cenohet dy herë ajo. Ajo mund të mos jetë asnjë gjë, po mua shqetësimet më janë shtuar pasi bëra kolonoskopinë e parë. Pra ai spital të tallet me mua. Unë kërkoj që kjo të publikohet që njerëzit ta dinë dhe për këtë gabim të më japin dëmshpërblim”, përfundon ai.