Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duke shkarkuar nga detyra prokurorin e Durrësit, Ilir Turja.
Ky vendim përfundimtar e nxjerr Turjan nga sistemi i drejtësisë. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarë të KPA-së, vendosi unanimisht të mbajë në fuqi vendimin e datës 7 nëntor 2022 të KPK-së, që i njoftoi shkarkimin për shkak të mosjustifikimit të burimeve të mëdha financiare në lidhje me ndërtimin e një objekti trekatësh në plazhin e Durrësit.
Njoftimi i KPA:
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit Ilir Turja, duke e nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit nr. 584, datë 07.11.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Ilir Turja.
Më 7 nëntor 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, për mosjustifikim të burimeve të mëdha financiare në ndërtimin e një objekti trekatësh me papafingo dhe bodrum të regjistruar në emrin e babait të tij në vendin e quajtur “Plazhi i Durrësit”, por që u dyshua se ishte pasuri e tij.
Turja i pati kundërshtuar konkluzionet e KPK për këtë pasuri duke theksuar se nuk ishte bashkëpronar, por vetëm përdorues i një pjese të objektit. Ai pohoi se e kishte deklaruar rregullisht këtë banesë si adresë dhe pretendoi se KPK nuk i kishte përfshirë në analizën financiare të gjitha burimet e krijimit.
Ilir Turja e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.