Futi në kurth arsimin, dënohet me 1 vit e 4 muaj burg i riu që ngriti skemën e mashtrimit me bursa studimi në SHBA! Hiqej si mbesa e kryeministrit Rama

Aktualitet

Publikuar: 28/01/2025

Futi në kurth arsimin, dënohet me 1 vit e 4 muaj burg i riu që ngriti skemën e mashtrimit me bursa studimi në SHBA! Hiqej si mbesa e kryeministrit Rama

Gjykata e Tiranës ka dënuar me dy vite burg Ermes Hoxhallin, i cili premtonte bursa studimi falas dhe udhëtime në Shtetet e Bashkuara duke mashtruar zyrtarë të ministrisë së Arsimit nëpërmjet falsifikimit. Hoxhalli u dënua për falsifikim dokumentesh dhe falsifikim kompjuterik, teksa përfitoi zbritjen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht do të vuajë 1 vit e 4 muaj burg.

I riu krijoi një identitet të rremë si Klea Rama, dhe prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama, duke u prezantuar si një diplomate të lartë e Ambasadës. Ai pretendonte se ishte udhëheqës i një projekti për të rinjtë dhe ka dhënë 19 certifikata pjesëmarrjeje false për nxënës dhe një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë.

“Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, pretendoi se ishte iniciator i projektit “Let’s talk together aboutUS’24” që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studenteve shqiptarë rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbështetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje Amerikane”, tha organi hetues.

Dokumentet e falsifikuara si certifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e këqyrura dhe të sekuestruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit Ermes Hoxhalli në laptopin e tij dhe aparatet celularë.

Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit [email protected] me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

I riu akuzohet për “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumentave”. Ky personazh arriti të depërtonte në Ministrinë e Arsimit, teksa ishin shërbimet e Ambasadës Amerikane që ngritën alarmin.