Krimi shtetëror i 21 janarit, dy vëllezërit e Hekuran Dedës thirren në SPAK

Kronike

Publikuar: 28/01/2025

Krimi shtetëror i 21 janarit, dy vëllezërit e Hekuran Dedës thirren në SPAK

SPAK po vijon marrjen në pyetje për hetimet mbi dosjen e 21 janarit. Paraditen e sotme në SPAK janë paraqitur dy vëllezërit e Hekuran Dedës, një prej protestuesve që u vra nga plumbat e shtetit 21 janarin e 2011 gjatë qeverisjes së Sali Berishës. 

Zabit dhe Agim Deda do të merren në pyetje nga prokurorët e posaçëm për atë ngjarje tragjike. Vrasja e Hekuran Dedës është pa autor, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Janë shënuar 14 vite nga 21 janari, ndërsa dosja tashmë është në duart e SPAK pas urdhrit të Gjykatës së Lartë dhe një vendim të Strasburgut që e quajti qartë krim shtetëror. Deri më tani prokurorët ka marrë në pyetje ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri,  ish-drejtori i policisë së shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij  Agron Kuliçaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefaliaj.

SPAK do të zbulojë rolin e  ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Bashës, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e të tjerëve në një prej ngjarjeve më të rënda në vendin tonë, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë me plumbat e shtetit gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Familjarët e 4 dëshmorëve, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj kërkojnë të dënohen urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj vrasje shtetërore.