Efektivë të komisariatit numër 2 të Tiranës, pas sinjalizimeve, kanë ndaluar mbrëmë në ish Bllok biznesmenin Mark Kola, pronar i disa lokaleve në Tiranë dhe bizneseve të tjera.
Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur shtetasit Mark Kola një pistoletë dhe një krehër me municion luftarak, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e tij e luksoz.
Prapaskena mëson se biznesmeni 34-vjeçar, në momentin e ndalimit, ka qenë në makinë me vajzën e një oligarku. Zonjusha, e cila duhet të procedohet për moskallëzim krimi, po fshihet nga policia dhe strukturat shtetërore. Burime nga policia theksuan se mbrëmë ka pasur shumë telefonata sa kërcënuese, aq edhe të papërshtatshme, për të mbuluar këtë ngjarje. Po sipas burimeve, sot vijojnë ndërhyrjet e paligjshme ndaj prokurorit të çështjes, me qëllim lehtësimin e pozitave të biznesmenit, pasi rrezikon deri në 7 vite burg për armëmbajtje pa leje.
Prapaskena mëson gjithashtu se Mark Kola është një personazh i skeduar nga organet e zbatimit të ligjit. Kujtojmë që disa ditë më parë, një OPGJ në policinë e Tiranës u hodh në rrethana të paqarta nga pallati pasi kishte përcjellë letrat në Prokurori për arrestimin djalit të biznesmentit më të madh në Shqipëri.