Ekzekutimi i Lulzim Vishës, arrestohet një person! Shkak i vrasjes dyshohet konflikti për pronat

Aktualitet

Publikuar: 25/01/2025

Ekzekutimi i Lulzim Vishës, arrestohet një person! Shkak i vrasjes dyshohet konflikti për pronat

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person të dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Lulzim Vishës, 48 vjeçarit i cili u ekzekutua një ditë më parë në Zall Mner, të Kamzës.

I arrestuari Eduart Lami u ndalua gjatë kontrolleve në zonën e Kamzës për armëmbajtje pa leje dhe dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarjen ku Visha u qëllua për vdekje me të paktën 12 plumba.

Sipas raportimeve ka dyshime që kanë patur konflikte me tokat.

Trupi i viktimës u gjet brenda automjetit të tij të punës, me logon e një kompanie poste private. Nga hetimet paraprake, dyshohet se autori ka përdorur një armë me silenciator, pasi banorët e zonës nuk raportuan dëgjimin e të shtënave. Në vendngjarje u gjetën mbi 10 gëzhoja pistolete.

Po ashtu, policia zbuloi një automjet të djegur, një “Porsche” ngjyrë e zezë, në fshatin Zall Herr, që mendohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i krimit.

Një nga pistat e hetimit është dhe ajo e hasmërisë mes viktimës dhe të tjerëve. Vëllai i tij, Besnik Visha, rezulton të jetë dënuar për një vrasje në vitin 1997 dhe ka shlyer dënimin, por aktualisht ndodhet jashtë shtetit.