Nga Adriatik Doçi
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historia dhe tradita ruhen edhe në detajet më të vogla – deri te mobiliet e zyrave më të larta të shtetit. Ish zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, respektoi traditën dhjetra vjeçare që përfshin nënshkrimin e mobilieve historike të Zyrës Ceremoniale, një tavolinë që mban kujtimet dhe nënshkrimet e paraardhësve të saj për dekada.
Kjo është një shenjë respekti për kohën e kaluar në qeverisje, për ata që kanë ardhur më parë në tavolinat e pushtetit dhe përmbi të gjitha, për vetë institucionin.
Vijmë me “sëpatë” në dorë në Shqipëri, me mentalitet qeverisës “dru me pre”. Që nga kryeministri e deri te ministrat, gjëja e parë që bëjnë kur hyjnë në zyrën “ovale” është tenderimi për rimobilim rrënjësor, sikur në çdo zyrë ishte ulur armiku e jo zyrtari paraardhës. Zyra e “hasmit” shihet si muze i panevojshëm.
Tavolina dhe mobiliet e “parahistorisë” shqiptare shkojnë për skrap, sepse duhet një zyrë dhe “hale” moderne, me shkëlqim të ri dhe kosto shumëmilionëshe.
Kontrasti armiqësor Trump kundër Harris flet njëlloj si armiqësia shqiptare e mentalitetit qeveriar kundër traditës. Ndërsa SHBA ruan tavolinat e saj të historisë mbi ato të armiqësisë, Shqipëria zhduk të sajat me një furçë boje dhe një faturë tenderimi.
Kjo është diferenca oqeanike: atje, mobilia ruhet me kujdes si dëshmitare e kohës, një “arkiv” i heshtur i nderit dhe punës. Këtu, në vendin tone të vjedhur, as tavolinat e punës nuk shpëtojnë dot nga “xhepizmi” i pushtetit që mban me dhunë radhën.
Në Amerikë, firmat mbi dru tregojnë vazhdimësi dhe respekt për pushtetin; në Shqipëri, druri i “vjetër” zëvendësohet në tenderin e ri. Kjo është trashëgimia jonë e gdhendur në dru e në tru: Vidhe tavolinën sot, se nuk i dihet nesër..!