Të paktën 32 persona mbetën të vrarë mbrëmjen e djeshme, ndërsa forcat izraelite goditën Gazën, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të shpallur disa orë më parë.
Gazetari palestinez dhe reporteri i Al Jazeera, Anas al-Sharif, në një raportim nga Gaza veriore, tha se mbrëmja e djeshme ishte një “natë e tmerrshme”.
Ai shkroi në një postim në X se “ Ritmi i bombardimeve është rritur në mënyrë dramatike orët e fundit dhe bashkë me të edhe numri i të vdekurve të plagosurve i cili është rritur në një nivel të paprecedentë”.
Fotot treguan shumë të plagosur, duke përfshirë fëmijë, duke u transportuar në spital pas një sulmi izraelit në tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur.
Marrëveshja komplekse e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant Hamas, i cili kontrollon Gazën, u njoftua ditën e djeshme pas ndërmjetësimi nga Katari, Egjipti dhe SHBA, dhe 15 muaj gjakderdhje që shkatërruan territorin bregdetar dhe ndezën rajonin e Lindjes së Mesme.
Marrëveshja përshkruan një armëpushim fillestar gjashtë-javor me tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, ku dhjetëra mijëra janë vrarë. Pengjet e marrë nga Hamasi do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.