GJKKO i ka komunikuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ Kreshnik Farrukut (Budlla) si dhe Julian Kollçakut e Maksim Ndocit, të tre anëtarë të një organizate kriminale që akuzohet se furnizonte Italinë me kokainë nga Ekuadori.
Farruku është identifikuar si përdorues i aplikacionit Sky Ecc, nga ku dyshohet se ka drejtuar grupin për ngarkesat e kokainës.
Megjithatë, vetë Kreshnik Farruku (Budlla) ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë Sky Ecc.
“Nuk jam unë ai që pretendoni” tha Farruku në seancën gjyqësore në GJKKO.
Budlla u arrestua të premten, ndërsa ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për qëllime ekstradimi drejt Italisë ndërsa dy të tjerët janë arrestuar në nëntor 2024.
Ata akuzohen për “trafik ndërkombëtar të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Ai kërkohet nga autoritetet e Italisë, pasi dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar GJKKO deklaroi se konfiskoi 27 pasuri të dy personave, konkretisht Kreshnik Budllës dhe Erneo Farrukut, të cilat dyshohen se janë vendosur nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.
Ndaj Kreshnik Budllës rezulton një urdhërarrest europian, i lëshuar nga Italia që nga viti 2018, për të njëjtën çështje që Policia spanjolle e kishte hetuar që nga viti 2007.
Kujtojmë se Farruku, i shumëkërkuari me 10 emra, u arrestua në maj të 2019 në Spanjë, së bashkë me vëllain e tij dhe një tjetër të afërm. Ai rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Ancona-s me 6 vjet e 8 muaj burgim për akuzën e trafikut të drogës
Ai njihet si drejtues i klanit Farruku, i përbërë kryesisht nga shqiptarë që kryesisht janë akuzuar për grabitje banesash, trafik kokaine dhe krime të ndryshme./ Pamfleti