Zgjedhjet e parlamentare të muajit maj 2025 kanë futur në “ethe” punonjësit e administratës lokale dhe qendrore. Punonjësit e thjeshtë janë “detyruar” të plotësojnë formularët me të afërmit në diasporë, pasi për herë të parë emigrantët do votojnë. Por, kjo ka sjellë një riorganizim të strukturave partiake, ku mazhoranca duket se ka angazhuar gjithë “flotën” për të evidentuar apo “detyruar” emigrantët që t’a votojnë.
Disa muaj më parë, drejtori i Teatrit Bylis në Fier, Klajdi Marku, ishte prezent në takimin e kryeministrit Edi Rama në Greqi. Madje, ai tha se është “detyruar” që të shkojë në këtë takim. Pas videos që u bë virale, Marku dha dorëheqjen, teksa e motivoi këtë lëvizjë “për të ruajtur imazhin personal dhe të artistit”.
Aktualisht, Bashkia e Fierit ka gjetur një zgjidhje për organizimin e emigrantëve. Bashkia ka nisur procedurat për zhvillimin e një tenderi për udhëtim në Greqi, me arsyetimin se është festiv! Por, kur festat kanë mbaruar, nuk kuptohet se për çfarë do të festohet në Greqi. Aq më tepër një takim që vjen para zgjedhjeve nuk është festiv, por një organizim i mirëfilltë zgjedhor. Përse po shpenzohen paratë e taksapaguesve fierakë për këtë takim partiak?

Faksimile: Dokumentet e tenderit të Bashkisë së Fierit “festojmë me emigrantët fierakë Në Greqi”
Drejtoria e Artit dhe Kulturës në Fier ka si drejtuese znj. Ardjana Mile, teksa kanë varësi direkt edhe Qendra e Aktiviteteve Kulturore (ish shtëpinë e Pionerit), Teatrin Bylis, Muzeu Historik, Galerinë e Artit dhe Bibliotekën.
Sipas dokumenteve, kjo drejtori ka hapur në datë 6 janar 2025 tenderin me objekt “festojmë me emigrantët fierakë në Greqi”. Fituesi është shpallur në datë 8 janar, teksa ka një shpjegim shpenzimi ku kërkohen 3 këngëtarë fierak, shërbim transporti me autobus në 30 vende dhe një kordinator.
“Ky projekt vjen si bashkëpunim me shoqatën ‘Bashkimi i fierakëve në Greqi ‘Apolonia’. Për të krijuar atmosferë festive, por edhe nostalgjie për vendlindjen, në kuadër të aktivitetit të parë të vitit 2025, kërkohet që koncerti festiv, i cili është aktiviteti kryesor i projektit, të realizohet me këngëtarët më të dashur fierakë, që bëhen pjesë për herë të parë e festimeve me emigrantët” thuhet në këto dokumente.
Sipas saj, Drejtoria e Artit dhe Kulturës, Turizmit dhe Promovimit kërkon që në event të marrin pjesë “tri banda muzikore fierake dhe ato të kërkuara nga Shoqata ‘Bashkimi i fierakëve në Greqi’”. Sipas tyre, bandat muzikore të këndojnë live dhe minutazhi i kërkuar është 1 orë. “Çdo bandë duhet të ketë foninë me vete dhe sipas parametrave teknike të kërkuara” shkruhet në dokumentet e tenderit.