Ai u prangos në Manzë të Durrësit me kërkesë të SPAK në bashkëpunim me prokurorinë e Firenzes me qëllime ekstradimi drejt Italisë.
Prokuroria e Posaçme SPAK ka identifikuar “kokën” e grupit të strukturuar kriminal të trafikut të drogës që vepronte në Itali.
Mësohet se është identifikuar “koka” e grupit, i cili merrej me organizimin, magazinimin dhe më pas shpërndarjen e drogës në Itali. Bëhet fjalë për Kreshnik Farrukun (Budlla) i cili i kishte arritur t’i shpëtonte autoriteteve italiane pasi nuk ishte identifikuar dot prej tyre, gjë që më pas është bërë nga autoritetet shqiptare.
“Nga veprimtaria hetimore e kryer në Shqipëri, është bërë identifikimi i shtetasit, K.B, anëtar i grupit të struktuar kriminal, i paidentifikuar nga autoritetet italiane, i cili merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Farruku u dorëzua disa ditë më parë së bashku me të vëllanë në polici dhe më pas u lanë në masën detyrim paraqitje. Ndërkohë që mbrëmjen e djeshme (11 janar 2025) Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit “Farruku’ u arrestuar me urdhër të SPAK. Ai u prangos në Manzë të Durrësit me kërkesë të SPAK në bashkëpunim me prokurorinë e Firenzes me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Për riarrestimin e Farrukut në Manzë ku qëndronte në arrest shtëpie ndërhyri reparti special RENEA. Ai do të qëndrojë i izoluar në ambientet e Policisë së Tiranës, për të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme.
Kujtojmë se grupi për të cilin bëhet fjalë, u godit nga SPAK dhe Prokuroria e Firences në nëntor të vitit 2024. Ata sillnin kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Livornos, Genoas dhe Savonas e më pas e shpërndante atë në zona dhe grupe të ndryshme të shpërndarjes së drogës në Itali.
“Grupi i strukturuar kriminal shërbente si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane, sasi që vinte me kontejnerë nga Amerika Latine në portet italiane (Livorno, Genova dhe Savona). Ky grup kryente veprimtarinë e nxjerrjes së drogës dhe shpërndarjes së saj, ndërsa ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike, nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale si dhe për t’ia vënë në dispozicion grupeve kriminale”, thuhej më tej në njoftim.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të mundur identifikimin e personave të tjetër të përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike të kryera nga grupi kriminal, i goditur më datë 05.11.2024*, në operacionin e përbashkët me Prokurorinë e Firencës, Itali.
Grupi i strukturuar kriminal shërbente si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane, sasi që vinte me kontejnerë nga Amerika Latine në portet italiane (Livorno, Genova dhe Savona). Ky grup kryente veprimtarinë e nxjerrjes së drogës dhe shpërndarjes së saj, ndërsa ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike, nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale si dhe për t’ia vënë në dispozicion grupeve kriminale.
Nga veprimtaria hetimore e kryer në Shqipëri, është bërë identifikimi i shtetasit, K.B, anëtar i grupit të struktuar kriminal, i paidentifikuar nga autoritetet italiane, i cili merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian.
Konkretisht, ai është organizatori i furnizimit të lëndës narkotike, e sekuestruar më 27 janar 2021 në Autostradën Guardamiglio (LO), Itali, ku janë arrestuar shtetasit shqiptare; E.K. dhe M.K., të cilëve iu gjet një sasi e lëndës narkotike të llojit kokainë, me një peshë totale bruto prej 10.522 kg, e paketuar në 9 pako plastmasi të fshehura në një hapësirë të një mjeti, Ford Fiesta. Përveç këtij sekuestrimi, ekzistojnë elementë të shumtë të komunikimeve të të arrestuarit K.B, me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, (tashmë të arrestuar në Itali), duke provuar rolin e tij brenda grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu, në datë 12.01.2024, është ekzekutuar dhe vendimi për caktimin e masës së sigurimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për shtetasit; M.N dhe J.K, të arrestuar më parë, pas urdhrit të kërkimit i nxjerrë nga autoritetet gjyqësore italiane, por për të po kryheshin hetime nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal nr.296 të vitit 2021.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon për bashkëpunimin Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për profesionalizimin e treguar gjatë kryerjes së hetimeve dhe fazës së ekzekutimit të masës së sigurimit
Procedimi penal është ende në fazën e hetimeve paraprake dhe për shkak të parimit të pafajësisë, përgjegjësia e personave nën hetim do të konstatohet përfundimisht vetëm në rast të një dënimi të formës së prerë.