Ad Leci allias Adriatik Roshi është 48-vjeçari, i cili u masakrua në 5 janar 2025, në një berberhane në zonën e ish-Doganës në Tiranë nga persona të maskuar dhe të armatosur. Në pamjet e publikuara shihen 4 persona, të maskuar, pajisur me sëpata dhe leva, të cilët hyjnë brenda e godasin në pjesë të ndryshme të trupit Adriatik Roshin, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në gjëndje të rëndë.
Roshi ka politraumë dhe dëmtime në të gjithë trupin. Thyerje kockash nga koka te këmbët, përfshirë dëmtime në pjesën e barkut. Sipas mjekëve i dhunuari duhet mbajtur në kujdes të vazhdueshëm pasi mund të ketë përkeqësim të gjendjes nga momenti në moment.
Hetuesit e komisariatit nr. 3 në kryeqytet, pasi këqyrën kamerat e sigurisë, kanë ndaluar dy persona Gani Koçeku dhe Ledio Tusha. Ndërkohë personat e shpallur në kërkim janë shtetasit Ronald Koçeku, Luçiano Koçeku, Dino Koçeku dhe Gëzim Koçeku.
Masakrimi i Ad Lecit dyshohet se është rrjedhojë e ngjarjes së 25 gushtit 2024, ku një sherr masiv shpërtheu në një lokal në Palasë ku këndonte këngëtari i njohur grek, Konstandinos Argiros. Në atë kohë, policia shpalli në kërkim Xhoni Spahon, 28 vjeç, Genti Balecin, 49 vjeç, Fatmir Bejon, 30 vjeç dhe Klajdi Cerrin, 32 vjeç. Pjesë e sherrit dyshohet se ka qenë edhe Adriatik Roshi, i cili në atë kohë nuk u identifikua nga blutë.