Ish-kryeministri Sali Berisha lexoi disa ditë më parë disa përgjime të pretenduara, të cilat sipas tij tregonin një marrëveshje mes grupit të Çelës dhe Taulant Ballës, ku ky i fundit ka garantuar burgosjen e kundërshtarëve të tyre në këmbim të votave për zgjedhjet në Elbasan.
“Tani me datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju? Përgjigjia ishte: Po, ne e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tani, komenti tjetër.
Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet“, tha Berisha.
Burime pranë SPAK theksuan se kemi të bëjmë me një Fake News, i prodhuar nga Berisha ose që i është servirur atij si informacion në dukje i vërtetë, pasi një komunikim i tillë nuk ekziston në asnjë nga dosjet e Prokurorisë së Posaçme. Burimet theksuan se SPAK nuk mund të investohet për të përgenjeshtruar çdo spekulim të Berishës në raport me punën e SPAK, veprimet hetimore apo të dhënave në dosjet. Disa javë më parë, u publikua edhe një ‘përgjim’ i ngjashëm për lidhje të Shkëlzen Berishës dhe Gaz Bardhit me Ervis Martinajn, material i cili u hodh poshtë si fabrikim. Duke ditur lidhjet e Shkëlzenit me Martinajn, komunikimi i sajuar u besua fillimisht nga publiku dhe pjesërisht nga mediat.
Ndërkaq, Taulant Balla ka bërë kallëzimin penal ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij për aferën korruptive me ish Klubin Partizani, kallëzim i cili u kthye në akuzë nga SPAK-u. Që pas kallëzimit, Familja Berisha ma nisur një fushatë të egër sulmesh ndaj Ballës.
Nga ana tjetër, Berisha lexon një pasazh të shkruar në një letër të bardhë, i cili mund të shkruhet lehtësisht nga cilido në kompjuter. Nuk publikohet as konteksti i bisedës dhe as një dokument zyrtar. Denoncimi i pretenduar nga Berisha rrëzon një tjetër pretendim të tij, sipas të cilit Balla ka qenë përdërues i aplikacionit SkyEcc. Nëse do të ishte kështu, Berisha do të publikonte komunikime të drejtëpërdrejta të Ballës, që në fakt nuk ekzistojnë, dhe jo të personave të tretë.
Kujtojmë se Sali Berisha ka denoncuar edhe kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Sulin për lidhje me veasësin e grave Dan Hutra, madje se kishte planifikuar që t’i vinte emrin një rruge në Kamëz ‘Dan Hutra’. Pas disa orësh, rezultoi se denoncimi ishte një mashtrim dhe se dikush ishte tallur me Berishën. ‘Qytetarit dixhital’ i Berishës, pas denoncimit të tij, u shkroi mediave duke treguar me fakte se si është tallur me Berishën, duke shpikur një histori për rolin e killerit të grave Dan Hutra në humbjen e dhimbshme të Berishës dhe Metës, në Kamëz. Sipas historisë së sajuar, Dan Hutra ka mbledhur vota për Rakip Sulin, ndërsa Rakip Suli, për ndër të tij, kishte menduar që t’i vinte emrin një rruge ‘Dan Hutra’. Qytetarë të ndryshëm shfrenojnë imagjinatën, i nisin fantazitë e shkruara Berishës, ndërsa ky i fundit i denoncon në emër të opozitës.
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore 2023, Sali Berisha publikoi një foto gjatë një emisioni televiziv ku pretendonte se ishte Erion Veliaj, i cili kishte shkuar në Iran i maskuar e me paruke. Shpejt u zbulua se ky ishte një mashtrim. Personi që Sali Berisha nxori në fotografi dhe deklaroi se ishte Erion Veliaj me paruke, në fakt është kitaristi i grupit të famshëm rock “The Eagles”, Joe Walsh, ndërsa vetë fotografia është shkrepur në vitet 1970.