Ish-presidenti Ilir Meta është pyetur për rreth dy orë nga prokurorët e SPAK, në lidhje me lobimet e LSI-së në SHBA.
Ndryshe nga paraqitja e fundit në SPAK, kësaj radhe Meta mësohet se është treguar i përmbajtur përballë prokurorëve dhe tepër bashkëpunues.
Ndërkohë që avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj ka dhënë detaje në lidhje me marrjen në pyetje të presidentit të PL sot në SPAK.
Gjokutaj u shpreh se çështja e vetme për të cilën është pyetur ish-presidenti ka qenë ajo e lobimit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, Meta është treguar shumë bashkëpunues me gjithçka që mbante mend, pasi aktet ende nuk janë vënë në dispozicion të mbrojtjes.
Gjokutaj tha se Meta ishte marrë në pyetje nga prokurori Sotir Kllapi dhe oficeri përkatës. Avokati sqaroi se Meta kishte kërkuar sqarime për arsyejt e arrestimit të tij, të cilin ai e përshkroi si të dhunshëm dhe të ngjashëm me një “rrëmbim”.
“Pyetja filloi me një kërkesë të zotit Meta, i cili kërkoi të dinte arsyet e arrestimit të tij. Ai e konsideroi këtë veprim të dhunshëm, si një rast të rrëmbimi. Sot u mor në pyetje për lobimin në SHBA, ku ai u tregua bashkëpunues dhe tregoi gjërat që kishte dijeni sa i përket asaj çështje”, tha avokati Gjokutaj.
Avokat Gjokutaj shtoi se nuk ka ende informacion nëse Meta do të pyetet përsëri, pasi ky vendim mbetet në dorën e SPAK.
“Nuk dimë se kur do të pyetet sërish, kjo është çështje e SPAK-ut”, theksoi ai.
Gjokutaj nënvizoi gjithashtu se procesverbali i seancës ishte firmosur dhe seanca ishte realizuar plotësisht. Megjithatë, ai theksoi se Meta kishte kërkuar të fliste drejtpërdrejt me mediat për të dhënë versionin e tij, por kërkesa e tij ishte refuzuar.
“Për shkak të këtij refuzimi, unë jam këtu për të komunikuar me ju dhe për t’ju dhënë informacionin e nevojshëm”, përfundoi avokati i Metës.
Kujtojmë se Ilir Meta ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nga qelia 313 me anë të tunelit që lidh burgun me SPAK.
Ndryshe nga sa ishte planifikuar që seanca e marrjes në pyetje të bëhej në orën 10:00, Meta ka mbërritur në ambientet e SPAK pothuajse 1 orë me vonesë.
Kjo vonesë e irritoi disi Metën, i cili reagoi menjëherë nga qelia me anë të një postimi duke deklaruar se edhe pse kishte kaluar orari ai ende po priste të shkonte të dëshmonte.
“Rreth 15 minuta më parë mediat e regjimit mashtruan duke pretenduar se unë kam hyrë në ambientet e SPAK. Nuk është e vërtetë.
Unë akoma jam në qelinë Nr.5, i gatshëm që në ora 10:00 për të shkuar në SPAK edhe pse lajmërimin e kam marrë nga mediat e regjimit dhe jo sipas procedurave ligjore. Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve“, shkruante Meta.