Paskal Milo: Simitis, politikani që e udhëhoqi Greqinë drejt modernizimit të saj

Politikë

Publikuar: 05/01/2025

Paskal Milo: Simitis, politikani që e udhëhoqi Greqinë drejt modernizimit të saj

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ka vlerësuar ish-kryeministrin grek Kostas Simitis si një nga personalitetet më të shquara të viteve ’90, i cili udhëhoqi Greqinë drejt modernizimit.

Milo, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, theksoi sidomos rolin e Simitis gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi, veçanërisht në lidhje me problemin e Kosovës.

“Sot, Greqia dhe politika greke humbën një personalitet shumë të shquar, Kostas Simitis, ish-kryeministër, një nga themeluesit dhe ish-kryetar i PASOK-ut. Ai ishte modeli i urtësisë politike dhe politikani që e udhëhoqi Greqinë drejt modernizimit të saj.

Kostas Simitis ishte një mik i çmuar i popullit shqiptar. Ai bëri më shumë se çdokush tjetër në historinë bashkëkohore të Greqisë për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. U tregua solidar me të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre dhe ndihmoi mijëra prej tyre që u shpërngulën me dhunë në Shqipëri gjatë konfliktit të viteve 1998-1999,” deklaroi Milo.

Kostas Simitis, ish-kryeministri i Greqisë, u nda sot nga jeta në Athinë. Ai ishte pasuesi i liderit të famshëm të PASOK-ut, Andreas Papandreou, në parti dhe në qeveri.

Kostas Simitis shërbeu si kryeministër i Greqisë nga 22 janari 1996 deri më 10 mars 2004. Ai qëndroi aktiv në politikë deri në vitin 2009.