Nga David Hillier
Kjo tendencë është zgjeruar nga shfaqja e trafikantëve në aplikacione si Snapchat, Instagram dhe veçanërisht Telegram ose Signal.
Porti andaluzian i Algeciras në Spanjë, bëri bujë në mediat e gjithë Evropës në nëntor, kur policia dhe Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore, zbuluan një dërgesë rekord kokaine të fshehur në një sasi bananesh që vinte nga Guayaquil, qyteti më i madh i Ekuadorit. Ishte sekuestrimi i dytë më i madh i drogës i regjistruar ndonjëherë në Óscar Sánchez Gil, kreu i divizionit kundër mashtrimit dhe pastrimit të parave në forcën policore kombëtare të Spanjës në Madrid, u arrestua pak më vonë si pjesë e hetimit, së bashku me partnerin e tij, po ashtu një oficer policie. Rreth 20 milionë euro, thuhet se u gjetën të fshehura në muret e shtëpisë së Gil. InSight Crime, një media e specializuar në hetimet mbi krimin e organizuar, zbuloi kohët e fundit se Spanja ka rifituar pozicionin e saj si porta hyrëse kryesore e kokainës në Evropë, duke kapërcyer në këtë klasifikim Holandën dhe Belgjikën, portet e të cilave, Roterdami dhe Antverp, kishin qenë më herët pikat hyrëse kryesore në kontinent për trafikantët e drogës.
Në vitin 2023, nga autoritetet spanjolle u kapën 142 ton kokainë, krahasuar me 121 ton në Belgjikë dhe 60 në Holandë. Kohët e fundit, në Spanjë ka pasur një seri goditjesh ndaj këtij trafiku, që nga çmontimi i laboratorëve të mëdhenj në Galici dhe Portugalinë fqinje, deri tek zbulimi në korrik i një “narko-nëndetëseje” në Karaibe dhe arrestimi i 50 personave, më shumë se gjysma e të cilëve në Spanjë.
Për shkak të shtimit të prodhimit në Amerikën e Jugut, praktikat e reja të shpërndarjes dhe normalizimit të përdorimit të saj, Evropa po “përmbytet” aktualisht nga kokaina. Një raport në qershor i Agjencisë Evropiane të Drogës (EUDA), theksonte se ka “prova në rritje të kostove shëndetësore dhe sociale nga prania e madhe e kokainës”.
Po si arriti Spanja në këtë pikë? Në librin e tij “Dëborë mbi Atlantik”, gazetari investigativ Nacho Carretero dokumenton shtimin e aktivitetit të trafikantëve në bregun e Galicisë në pjesën veriperëndimore të Spanjës përgjatë shekujve XX-XXI. E përdorur fillimisht si një rrugë për mallrat nga Portugalia, aktiviteti nisi të rritet që gjatë viteve 1960, kur kontrabandistët nisën të merren fillimisht me duhanin.
“Nga ky aktivitet përfitonin edhe politikanët, kryebashkiakët, bankierët dhe sipërmarrësit e të gjitha llojeve”- shkruan Carretero. Ishte pikërisht kjo infrastrukturë korruptive, së bashku me ngjashmëritë kulturore dhe gjuhësore, që i bëri klanet lokale aq shumë tërheqëse për kartelet kolumbiane në rritje, që shpresonin të dërgonin produktin e tyre në Evropë gjatë viteve 1980.
Në vitin 1984, presidenti i Kolumbisë, Belisario Betancur i shpalli luftë trafikut të drogës dhe udhëheqësi famëkeq i kartelit Medelin, Pablo Escobar, u arratis në Nikaragua. Dy nga njerëzit e tij më të afërt, Jorge Luis Ochoa Vásquez dhe José Matta Ballesteros, shkuan në Spanjë së bashku me bosin tjetër të kartelit Cali, Gilberto Rodríguez Orejuela.
Lidhjet që ata krijuan atje u shndërruan në një korridor pan-atlantik të kokainës nga Amerika e Jugut në Spanjë – shpesh përmes Afrikës ose Karaibeve – nga ku droga do të kalonte në duart e organizatave të tjera kriminale si “Ndrangheta” e Siçilisë dhe më vonë mafia ballkanike, e cila e shet atë në të gjithë Evropën.
Antverpi dhe Roterdami, përkatësisht porti i parë dhe i dytë më i madh i Evropës, u bënë portat kryesore, pasi përdorimi i kokainës në kontinent nisi të rritej rreth vitit 2016. Kjo ndihmoi në nxitjen e reputacionit të Holandës si një “narko- shtet” gjatë fillimit të viteve 2020.
Gazetari investigativ holandez Peter De Vries u vra në një rrugë të populluar të Amsterdamit, ndërsa një dhomë torturash brenda një kontejneri u zbulua në zonën Brabant, duke rritur frikën se dhuna brutale që shkaktohet nga trafikantët e drogës në Amerikën e Jugut, do të mbërrijë edhe në Evropës. (Një raport i gazetës spanjolle El País, vlerësoi se krimi i organizuar shkaktoi vdekjen e shumë se 170.000 njerëzve në Meksikë midis viteve 2006-2016).
“Dhuna ka qenë gjithmonë aty. Ajo është pjesë e trafikut të drogës sepse mosmarrëveshjet nuk zgjidhen në gjykatë, por me dhunë. Por tani po rritet në një mënyrë shumë alarmante”- thotë Manuel Couceiro, president i Fondacionit Galician kundër trafikimit të drogës, një oqj e themeluar në vitin 1994.
“Numri i viktimave po rritet, sepse organizatat dhe njerëzit që kontrollojnë trafikun e drogës vijnë nga vende ku dhuna është ekstreme, e shpeshtë, dhe ku jeta e njerëzve cilësohet e pavlerë”- shton Couceiro. Ndërkohë Peter Appleby nga InSight Crime thotë se në Evropë, grupet kriminale mirëpresin përfitimet nga bashkëpunimi, si për shembull ndarjen e rreziqeve financiare të transportit të kokainës.
Sipas tij një faktor kryesor pas rënies së fundit të numrit të sekuestrimeve të drogës në zonën e Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksenburg), ka qenë orientimi i trafikantëve të kokainës drejt porteve dytësore më të vogla. “Ata janë larguar nga portet si Antverp dhe Roterdami, ku autoritetet u treguan më të mençura duke zbuluar truket e ndryshme të përdorura nga trafikantët”- thotë ai.
Gjatë vitit të fundit, ka pasur sekuestrime të mëdha droge në Helsingborg të Suedisë, Southampton të Britanisë e Madhe dhe Koper të Sllovenisë. Teksa kohët e fundit ka pasur një sërë nismash për të reduktuar trafikimin – si shtimi i numrit të skanimit të kontejnerëve, apo Aleanca e Porteve të BE-së, që do investojë 200 milionë euro për pajisjet moderne të gjurmimit dhe bashkëpunimi midis porteve, autoriteteve, bizneseve dhe qeverive – shmangia e qendrave kryesore ka bërë që shumë pak qoshe të Evropës të mbeten imunizuara nga kokaina.
Kjo tendencë është zgjeruar nga shfaqja e trafikantëve në aplikacione si Snapchat, Instagram dhe veçanërisht Telegram ose Signal. Tek dy të fundit, bisedat mund të kodohen dhe paratë mund të dërgohen (normalisht nëpërmjet kriptomonedhës) tek shitësit.
Analizat e fundit e ujërave të zeza, kanë treguar se përdorimi i kokainës, që më parë prirej të përqendrohej në zonat më të dendura urbane, tani është shumë më i përhapur në mënyrë të barabartë midis qyteteve dhe qytezave më të vogla brenda vendeve të Evropës Perëndimore dhe Jugore.
Kështu po sipas analizave të ujërave të zeza, Tarragona, një qytet i vogël katalanas në Spanjë, ka shkallën e dytë më të lartë të përdorimit të kokainës në BE (Antverpi është i pari.) Askush nuk është në gjendje të japë një shpjegim shterues. Ndoshta ndikojnë një sërë faktorësh gjeografikë, socialë ose demografikë.
Atje jetojnë shumë studentë, por ka edhe një port detar. Dhe efektet në shëndetin publik kanë filluar të shfaqen frikshëm. Kokaina është substanca e dytë më e zakonshme për rastet e helmimit akut nga droga në vendet e Rrjetit Evropian të Emergjencave të Drogës.