Përshkallëzohet konflikti mes Belind Këlliçit, i njohur si Belo Ezmeri dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ditën e sotme, Belo Ezmeri ka shpërthyer kundër Gaz Bardhit, përmes portalit të Vesho mallistit, duke e konsideruar si të pafytyrë, palaço dhe ish ushtar të Lulzim Bashës. Si shkak i dukshëm i akuzave është një kallëzim penal që Gaz Bardhi ka referuar në SPAK ndaj Belo Ezmerit, për falsifikim të vulave dhe stampave, kur Bardhi ishte në krahun e Lulzim Bashës dhe luftonte që PD-ja të mos binte në duart e Sali Berishës.
Por arsyet reale dhe jo të dukshme se pse Belo Ezmeri sulmon prej muajsh Gaz Bardhin lidhen me ambiciet për karrierë dhe pushtet brenda Partisë Demokratike. Gaz Bardhi është një nga kandidaturat më të lakuara si kandidat i Partisë Demokratike për kryeministër për shkak të damkës nongrata të Berishës. Edhe pse sipas sondazheve PD-ja nuk merr më shumë se 25 % të votave në zgjedhjet e 11 majit 2025, formalisht opozita duhet të dalë me një kandidat për kryeministër.
Ndërkaq, në kushtet kur si Berisha, ashtu edhe Bardhi, janë të vetëdijshëm se Partia Socialiste fiton zgjedhjet, Bardhi mund të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2027, kur i mbaron mandati Erion Veliajt, i cili nuk mund të kandidojë për një mandat të katërt. Nga ana tjetër, edhe pse shënoi disfatën më të thellë në historinë e PD, duke humbur me 60 mijë vota përballë Veliajt, Belo Ezmeri kërkon t’a provojë edhe një herë në zgjedhjet e 2027, meqenëse nuk do të ketë më përballë Veliajn. Belo Ezmeri pretendon se humbi me 60 mijë vota se votat u blenë me paratë e aferës 5D dhe me këtë ‘argument’ qesharak kërkon edhe një mundësi të dytë nga Berisha, pra për të prova me Bashkinë e Tiranës.
Duket se konfliktit mes Belo Ezmerit dhe Gaz Bardhit në PD do t’i japë fund SPAK-u, i cili shumë shpejt do të njihet me fakte për veprimtarinë e zezë të Belos.