Gazetarja Ola Xama allias Basjola Pandeli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka mohuar faktet për përfitimin e parave publike nga Bashkia e Tiranës, qeveria dhe kompania e lidhur me inceneratorët, përmes disa kompanive ku bashkëaksioner ishte bashkëshorti i saj Ilir Pandeli. Guxim i pazakontë që një gazetare profesioniste të mohojë një raportim të mbështetur në dokumente zyrtare, të cilat tregojnë se bashkëshorti i saj ka përfituar para publike, përmes kontratave të dyshuara si klienteliste.
Në një kohë kur zonja Xama mohon publikisht të vërtetën se ka futur duart në buxhetin e shtetit përmes burrit, ajo është ankuar zyrtarisht në Tatime se pse Prapaskena ka publikuar dokumente (librat e shitjeve dhe blerjeve të burrit të saj), që tregojnë përfitimin e parave publike. Në vijim do të publikojmë edhe ankesën e saj për zbulimin e një të vërtete me interes publik.
Zonja Ola Xama allias Basjola Pandeli pretendon se raportimet Prapaskenës janë shantazh i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndaj saj, për shkak të raportimeve të saj në media për abuzime të pretenduara në Bashkinë e Tiranës. I kujtojmë zonjës Xama se kur Prapaskena raportonte për tendera të dyshimtë nga Bashkia e Tiranës, burri i saj Ilir Pandeli merrte para nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria, ndërsa Vesho mallisti paguhej me 600 mijë lekë në muaj nga kompania Gogel, në pronësi të vëllait të Velaijt, Arbër Veliaj. Kjo është e vërteta bazuar në fakte.
Ku qëndron balta e hedhur mbi ju, kur raportimi është bazuar në dokumente zyrtare, fatura, aksione në kompani dhe tendera? Nëse Ilir Pandeli, i cili ka përfituar paratë publike, nuk është burri juaj, atëherë kemi shpifur!
Nuk mund të denoncohen abuzimet e pretenduara me para publike atëherë kur ndërpriten paratë publike për burrin tënd apo kur kërkon më shumë para dhe leje ndërtimi, siç është rasti i Vesho mallistit. Kjo nuk është gazetari, por kazan, shantazh vulgar dhe korrupsion mediatik.
Reagimi i zonjës Ola Xama
Erion Veliaj është një zyrtar publik, dhe si i tillë e ka ditur që prej marrjes së detyrës që do apo nuk do ai, do të bëhet pjesë e debateve publike në media sa i takon llogaridhënies në raport me detyrën dhe pasurinë e tij.
Prokuroria e Posaçme njoftoi ditën e premte se është duke hetuar pasurinë e tij dhe të familjarëve të tij, fakt që e ka pranuar publikisht dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Nisur nga këto të dhëna, ditën e hënë në emisionin “Të Paekspozuarit” kam raportuar mbi pasurinë e deklaruar të z.Veliaj dhe bashkëshortes së tij, deklarata që janë publike.
Duke qënë se hetimet kanë përfshirë dhe vëllain e z.Veliaj, kam raportuar se si kishte blerë 10% të aksioneve në një kompani për 100 euro dhe pas ardhjes pushtet të Erion Veliajt, firmat e tij kanë krijuar afërsisht 30 milion euro të ardhura dhe 4.5 milion euro fitime.
Asnjë gjë jashtë asaj që është publike në bilancet e deklaruara të kompanive, dhe pa i bërë gjyqin askujt, por vetëm duke shtruar për diskutim çështjen: si ka mundësi që në Shqipëri kanë biznese të suksesshme vetëm familjarët e njerzve në pushtet?
Përgjigjja nuk vonoi, por erdhi përmes një faqeje online të cilën e kam paditur civilisht për shpifje, ku unë akuzohem se kam marrë para nga qeveria.
Sa herë që raportoj çështje të cilat nuk i pëlqejnë kryetarit ose drejtorëve të bashkisë, kjo faqe bashkë me disa portale të tjerë nisin sulmin.
Të jetë rastësi, apo mos ka ardhur koha që drejtorët e bashkisë Tiranë dhe vetë kryetari i saj të hetohen për shantazh ndaj gazetarëve?
Dhe m.q.s. ka dy vjet që e kanë bërë si refren se unë kam marrë fonde publike, i ftoj në gjykatë të më sjellin një dokument që e provon këtë.
Për të tjerat, “pushka top”, le të vazhdojnë se as nuk kam bërë e as nuk kam marrë ndonjë gjë që më bën pis. Llumi ku jeni zhytur nuk lahet dot duke më hedhur baltë mua.
E vërteta e bazuar në fakte dhe prova
Gazetarja Ola Xama allias Basjola Pandeli, e cila shfaqet në banaqet televizive duke ‘denoncuar’ korrupsionin në Bashkinë e Tiranës dhe në qeveri, rezulton se ka marrë para publike nga qeveria, Bashkia e Tiranës si dhe nga kompania mëmë e inceneratorit të Fierit, përmes bashkëshortit të saj Ilir Pandeli, si aksioner në disa kompani.

Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli, rezulton aksioner në kompaninë e reklamave dhe organizimit të eventeve Kuadr.com (L72216039R) deri në 9 shkurt të vitit 2019.

Në periudhën janar-mars 2019, kompania Kuadr.com, me bashkëpronar bashkëshortin e gazetares Ola Xama, ka marrë 20 pagesa nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare me vlerë 97 milionë lekë.
Pagesat u publikuan dhe u denoncuan si korruptive nga Partia Demokratike në gusht të vitit 2023.
“Nga Janar 2019 deri Mars 2019, çuditërisht ose aspak çuditërisht, KUADR.
COM ka përfituar 20 pagesa nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Këto pagesa lidhen me likujdimet për samite të Diasporës, në vlerën totale të 97 milionë lekëve“, denoncoi shefja e zyrës së Anti-Korrupsionit në PD-në e grupimit të “Rithemelimit”, Genta Vangjeli në 22 gusht 2023, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të niste hetimet.
Gazetarja Ola Xama allias Basjola Pandeli ka marrë para publike edhe nga Bashkia e Tiranës përmes bashkëshortit të saj, nëpërmjet kompanisë që ka në pronësi shoqërinë e inceneratorit të Fierit.

Konkretisht, kompania Furst Koloss (J63229454K), e cila ka 30 % të aksioneve në kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier, që ka ndërtuar inceneratorin e Fierit, ka kaluar dhjetëra mijëra euro në llogaritë e kompanisë Krioform, me bashkëpronar Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli.

Nga verifikimi i transaksioneve dhe librit të shitjeve dhe blerjeve, rezulton se në 11 maj 2023, Furst Koloss, në atë kohë me bashkëpronar Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama, ka lëshuar 7 fatura për kompaninë Furst Koloss.

Në 16 mars 2021, Kompania Furst Koloss ka fituar nga Bashkia e Tiranës tenderin me vlerë rreth 4.4 milionë euro, për rikonstruksionin e godinave Nr.20-21; Nr. 22-23, në RSU Nr.1 (programi i rindërtimit).

Furst Koloss ka kontraktuar kompaninë e burrit të Ola Xamës për shërbimin e dyerve dhe dritareve.
Prapaskena mëson se për të kanalizuar paratë publike te gazetarja e BIRN dyshohet se ka ndërhyrë Arben Ahmetaj.
Evidencat që po sjell Prapaskena tregojnë edhe një herë se shumica e analistëve dhe gazetarëve që ‘nxjerrin shkumë’ nga goja duke ‘denoncuar’ korrupsionin në Bashkinë e Tiranës; ose kanë kërkuar një favor, të cilin nuk e kanë marrë dot, ose presin ndonjë ‘kockë’ nga pushteti, ose kanë marrë para publike si Ola Xama dhe në momentin që pagesat janë ndërprerë, ‘denoncojnë’ korrupsionin në institucionet publike, me të cilat ka marrë para publike.
Ola Xama kërkon para publike për kompanitë e burrit të saj, Vesho mallisti ka kërkuar leje ndërtimi për ‘bankomatin’ e tij Ben Reli, Baton Haxhiu ka kërkuar para për sondazhe të fabrikuara etj.