Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një komunikim me shqiptarë të Greqisë, ku deklaroi se partia e tij “është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë” me shtetin fqinj.
Berisha preku edhe disa çështje që konsiderohen si të nxehta mes dy vendeve, si marrëveshja e ndarjes së ujërave detare.
Lidhur me këtë, Berisha tha se marrëveshja për 12 milje e qeverisë së kryeministrit Edi Rama është “shumë më e pafavorshme” se ajo që negocioi qeveria e tij.“Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit”, tha Berisha.
Më tej ai foli edhe për Fredi Belerin, për të cilin tha se “e burgosi Rama”, pasi ai nuk pranoi të kandidonte nën logon e Partisë Socialiste.