“Duke qenë se po afrohen zgjedhjet e vitit 2025, ne presim dhe mirëkuptojmë që opozita do të rritë tonet por, ajo që më duket jo e tepruar, por e vjetëruar si stil dhe si metodë, janë pikërisht politika përmes tensionit të vazhdueshëm dhe mosbindja civile,” kështu deklaroi në një intervistë për TemA, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi.
I pyetur në lidhje me protestën e sotme të opozitës, Peleshi u shpreh se me afrimin e zgjedhjeve të pranverës 2025, është e pritshme që temperatura politike në vend do të rritet. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë që nuk ka shtigje apo mundësi për normalitet.
Peleshi shtoi se ka disa shenja pozitive, siç është kthimi disi në normalitet i jetës parlamentare pas një sërë incidentesh, por edhe diskutimet mëse normale përgjatë dy ditëve në lidhje me buxhetin, i cili është miratuar në parim.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se ka ende një sërë çështjesh, të domosdoshme për t’u diskutuar dhe dakordësuar me opozitën, të cilat lidhen me mundësimin e votës për diasporën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme.
“Ka disa çështje që lidhen me ndryshime të nevojshme – teknikalitete, por të nevojshme – por të domosdoshme për të mundësuar edhe praktikisht votën e diasporës. Lajm i mirë këtu është që, në mes të gjithë këtij tensioni dhe mosbindjeje civile të opozitës, janë dërguar edhe mesazhe apo sinjale, që janë të gatshëm të ulemi dhe të flasim. Disa takime informale i kemi patur deri tani, por duhet ta institucionalizojmë një dialog me opozitën për të vënë pikat mbi ‘i’ dhe për të rënë dakort për të ndryshuar disa afate, në mënyrë që vota e diasporës të bëhet e mundur,” u shpreh Peleshi.