Pse Altin Dumani nuk arreston Agron Çelën? Biznesmeni zhvati 170 mijë euro nga afera CEZ-DIA, pjesë korrupsionit të Ilir Metës

Krim & Korrupsion

Publikuar: 17/11/2024

Pse Altin Dumani nuk arreston Agron Çelën? Biznesmeni zhvati 170 mijë euro nga afera CEZ-DIA, pjesë korrupsionit të Ilir Metës

Disa biznesmenë rezultojnë të implikuar në dosjen e SPAK për korrupsionin e Ilir Metës, sidomos në aferën CEZ-DIA.

Deputeti Agron Çela, dikur përfaqësues i LSI dhe i afërt me Ilir Metën, sipas dosjes së SPAK, ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 170 mijë euro nga kompania DIA, e cila me ndërhyrjen e Metës mblidhte borxhet e CEZ.

Nga hetimi i SPAK, Agron Çela është implikiar penalisht në aferat korruptive të Ilir Metës. Biznesmeni i ka përfituar paratë në mënyrë të kundraligjshme dhe pa bërë asnjë punë. Thjeshtë janë ndarë paratë në formë korrupsioni.

Ndërsa në lidhje me shoqërinë BTT, me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë, hetimi ka provuar se kjo shumë ka patur si përfitues fundor shoqërinë “Xhenis” sh.p.k., me ortak shtetasin Agron Çela, i cili në vitin 2013 zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si përfaqësues i Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”. Hetimi ka provuar gjithshtu se përftimi i këtyre parave, është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo edhe BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm për shoqërinë DIA“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Edhe pse fakti penal është i qartë dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, SPAK nuk i ka kërkuar gjykatës arrestimin e Agron Çelës, duke vepruar deri më tani me dy standarde.

Meqenëse hetimet vijojnë, ndoshta është herët për të paragjykuar dhe hedhur dyshime mbi SPAK-un që nuk po zbaton legjislacionin penal ndaj Agron Çelën.

Por nga ana tjetër është po aq e qartë se prokurorët e dosjes së Metës, përfshirë edhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, kanë konstatuar se Agron Çela ka konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe deputeti vijon të jetë i lirë nga veprimi i ligjit penal.

Piruetat e Agron Çelës

Agron Çela u zgjodh si deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021, nën siglën e LSI.

Çela kaloi me Partinë Socialiste, në fund të vitit 2022, ndërsa u shfaq edhe krah kryeministrit Edi Rama.

Unë jam shumë korrekt, kam mbyllur një lëvizje me Partinë e Lirisë, po shikoj rrugë të tjera. Kam shumë oferta nga parti të tjera”, tha ai.
Në janar të vitit 2023, pas një foto selfie, ku shfaqeshin Elisa Spiropali, Benet Beci dhe Agron Çela, qarkulloi edhe një video ku ata shfaqeshin duke kërcyer në një festë.

Por, disa muaj më parë Çela u shfaq duke kërcyer dhe kënduar me Ilir Metën, i cili u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta besohet se ka kaluar në emrin e Çelës një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, përfshirë grabitjen e Kafes së Madhe në Shkodër, një resort në Velipojë etj.

Nuk dihet nëse këto pasuri po verifikohen nga SPAK-u.

Në 14 nëntor 2023, Agron Çela u thirr në SPAK. Ai u mor në pyetje një javë pas Ilir Metës. Çela nuk dha detaje se për çfarë çështje ishte thirrur, por tashmë nga leximi i dosjes, zbulohet se Çela është pyetur për përfitimet e tij të paligjshme nga afera CEZ-DIA.

Resorti në Velipojëgrabitje pronash e pastrim parash

Besohet gjerësisht se Ilir Meta ka kaluar në emër të Agron Çelës resortin “Grand Europa Resort” në Velipojë, ndërtuar me para të dyshimta dhe mbi prona të grabitura shtetërore nga Ilir Meta në Velipojë.

Resorti është formalisht në emrin e bashkëshortes së Agron Çelës, Belma Çela, por pronare faktike dyshohet se është Monika Kryemadhi.

Që Belma Çela është pronare në letra dhe Monika Kryemadhi dyshohet se është pronare faktike e resortit po sjellim disa fakte dhe rrethana.

Së pari, deputeti i LSI Agron Çela që iu bashkua PS-së para zgjedhjeve lokale, ka patur vetëm 300 m2 tokë në Pulaj të Plazhit Velipojë.

Së dyti, sipërfaqja e resortit është 23 mijë m2 në tokë shtetërore, e grabitur nga Ilir Meta, duke e kaluar si pronë private të Belma Çelës, në emër të firmës “Xhenis-SH” me letra të falsifikuara.

Së treti, Belma Çela nuk kishte mundësi financiare për investimin me vlerë miliona euro, por paratë ishin të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, me burim jo të ligjshëm.

Së katërti, Meta mori pjesë në nisjen e punimeve në 20 mars 2012, ndërsa në 15 korrik 2018, Monika Kryemadhi ka inaguruar hapjen e këtij resorti në Velipojë.

Nga dita e sotme, turizmi shqiptar krenohet me këtë resort modern, të ndërtuar falë largpamësisë së çiftit Agron e Belma Çela me mbështetjen e miqve të mirë, të cilët Goni nuk i ka braktisur kurrë”, tha Kryemadhi.

Në ceremoninë e inagurimit, Monika Kryemadhi sillej si pronare dhe respektohej si e tillë, ndërsa Belma Çela si të ishte kamarierja e Monikës, edhe pse çifti Meta-Kryemadhi e bënë konsulle nderi të Mongolisë.

Grabitja e Kafes së Madhe

Agron Çela futi në dorë dhe shkatërroi Kafen e Madhe në Shkodër kur ishte me Ilir Metën.

Si mos të mjaftonte grabitja e pronave në Velipojë ku ndërtoi resortin me para të dyshimta, Agron Çela shkatërroi Kafen e Madhe në Shkodër, një monument kulture dhe identitet shpirtëror, ideuar nga arkitekti Kolë Idromeno.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar përpara organit të akuzës, kompaninë në pronësi të Agron Çelës dhe bashkëshortes së tij, Belma Çela, për veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal.

Gjatë kohës kur Çela ushtronte detyrën e deputetit, në vitin 2016, kompania “Xhenis-Sh” Shpk në pronësi të tij, fitoi me vendim të këshillit kombëtar të restaurimeve, restaurimin e “Kafes së Madhe”, projektuar nga arkitekti Kolë Idromeno, objekti më i rëndësishëm i kategorisë 1 në Shkodër.

Në vitin 2021, nga inspektimet e KLSH rezultonte se objekti ishte shembur pjesërisht.

Nga ky objekt historik qëndronte në këmbë vetëm fasada kryesore.

Në inspektimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se subjekti “Xhenis–Sh” SHPK filloi punimet në shkelje të nenit 79 të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.

Në deklaratën e pasurisë të deputetit Agron Çela të vitit 2021, rezulton blerja e 768 metrave katrorë sipërfaqe truall si dhe ndërtesën e kafes së madhe në Shkodër, për 600 mijë euro.

Me shkresën nr. 144/4, prot., datë 28.05.2021 “Për marrjen e masave urgjente për pezullimin e menjëhershëm të punimeve në objektin “Kafja e Madhe Shkodër” i është kërkuar ish kryetares së bashkisë, Voltana Ademi të ndërpriten menjëherë punimet, por nuk është kthyer asnjë përgjigje nga kryebashkiakja, e cila ka qenë vetë në detyrë në momentin kur Çela ka zaptuar Kafen e Madhe.

Ndryshimi i drejtimit të bashkisë në vitin 2022, duket se ka sjellë përplasje mes Çelës dhe Bardh Spahisë, i cili nuk ka pranuar t’i dalë në mbrojtje deputetit të Metës, në çështjen që ka në prokurori.

Dhe kjo duket se është e vërteta e ‘përplasjes’ mes Spahisë dhe Çelës. Nuk kuptohet se pse SPAK nuk ndërhyn për të tërhequr dosjen penale nga Shkodra, pasi Agron Çela si deputet është subjekt i SPAK-ut.