Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 25 vite burg Klevis Allën, me 11 vite burg Besian Xhixhën dhe 5 vite burg Enver Divën për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, një ngjarje e ndodhur në Durrës në mars të 2020, si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt.
Apeli ka prishur pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë për Klevis Allën, i cili ka qenë edhe bashkëpunëtor i drejtësisë, duke ia pushuar akuzat për veprën penale të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje, si dhe për veprën penale të bashkëpunimit në grup kriminal, megjithatë dënimi i tij mbetet i njëjtë. Fillimisht, ai dyshohej se kishte siguruar informacione për vendndodhjen e vëllezërve Haxhia, por më pas u konfirmua se kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasje, së bashku me Nuredin Dumanin dhe Henrik Hoxhën, të cilët dyshohen si ekzekutorë, si dhe me Besian Xhixhën dhe Enver Divën.
Klevis Alla e humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë pasi dha dëshmi të rreme lidhur me ngjarjet kriminale të përfshira në dosjen “Plumbi i Artë”. Ai kishte pretenduar se Talo Çela dhe Altin Ndoci ishin autorët e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia dhe të shokëve Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdiaj, duke devijuar sipas SPAK të vërtetën e ngjarjes. Prokuroria mori parasysh dëshmitë e Nuredin Dumanit, dhe si rezultat, GJKKO pushoi akuzat ndaj Altin Ndocit, duke e shpallur të pafajshëm. Më herët, akuzat për këto dy vrasje ishin pushuar edhe për Talo Çelën, megjithëse ai vazhdon të ketë probleme me drejtësinë për ngjarje të tjera kriminale.