Prokuroria e Posaçme jep pretencën e çështjes penale ndaj ish-kryebashkiakut socialist të Durrësit, Vangjush Dako, i akuzuar për shpërdorim detyre. Prokurori i SPAK Sotir Kllapi kërkoi dënimin me 4 vite burg për ish-zyrtarin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, Dakos do t’i ulet 1/3 e dënimit, duke zbritur në 2.8 vite.
Aktualisht ish-zyrtari i lartë që është nën masën e arrestit në shtëpi akuzohet se ka shperdoruar detyrën me zbardhen e një leje ndërtimi për një pallat në vitin 2014, si dhe për shpërdorim detyre për tenderin e supervizimit të promenadës për vijen bregdetare, me vlerë rreth 200 mijë euro. Në pretencën e dhënë për Fatmir Ejupin, ish-topograf i akuzuar për falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 2 vite burg.
Për ndërtuesin Fiqiri Farruku, me akuzën falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite burg, që me gjykim të shkurtuar bëhet 2 vite burg dhe i pezullohet burgu, duke u vendosur në 4 vite shërbim prove.
Kurse për Adrian Bulkun, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite burg, që me gjykim të shkurturar kthehet në 2 vite dhe i pezullohet burgimi, duke e kthyer në shërbim prove gjithashtu.
Seanca e radhës, për konkluzionet e palës mbrojtëse, para se të shpallet vendimi i GJKKO-së, do mbahet më 21 Nëntor, ora 14:00.
Dako u vu në pranga në qershor të vitit 2023 por me pas pas 8 muajsh u lirua në arrest shtëpie në shkurt të ketij viti, për shkak të kalimit të afateve. Procesi ka ardhur në fundin e tij në GJKKO. Seanca drejtohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri, kurse prokuror është Sotir Kllapi.
Të pandehur janë; Vangjush Dako, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku. Dako ndodhet në masën “arrest në shtëpi” dhe po procedohet me gjykim të shkurtuar. Dosja kaloi për proces në GJKKO më 2 Tetor.
Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.