Ministri Piro Vengu, tender 1.4 milionë Euro për të parkuar makinat e shefave të ushtrisë në Feraj-Dajt

Aktualitet

Publikuar: 11/11/2024

Ministri Piro Vengu, tender 1.4 milionë Euro për të parkuar makinat e shefave të ushtrisë në Feraj-Dajt

Drejtoria e Financës dhe e Buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes, e ka kundërshtuar këtë tender si shpenzim të pa planifikuar e të kryer më parë, por ministri Pirro Vengu e ka shpallur nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Aleks Marku, të cilin e ka sjellë nga Porti Detar i Durrësit, ku, kur ishte drejtor e kishte shef juridik e të prokurimeve…

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vazhdon të njëjtën histori tenderësh korruptivë, siç ka vepruar me tenderët gjatë 5 viteve Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit Portual- Durrës, kohë kur firmosi dhe dhurimin e 810 mijë m2 arabit Mohamet Alabbar, për ndërtimin e pallateve, kullave, hoteleve e qendrave tregtare në Durrës.

Gjatë 3 muajve në detyrën Ministër i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka sajuar dhe firmosur 82 tenderë me vlerë totale 45 milionë Euro, të pa planfikuara si investime e shërbime në buxhetin vitit 2024, nga të cilët, 53 i ka mbyllur e ua ka dhënë miqve të tij e klientëve të pushtetit me gara fiktive e vlerë 95-100% të fondit limit, ndërsa 29 tenderë janë në proces.Një prej tyre, është tenderi i firmosur prej tij në datën 5 nëntor 2024 dhe publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publiek të datës 11 nëntor, me objekt “Ndërtim i vendqëndrimit (parkimit) të mjeteve të personelit, rrugëve të brendshme, ambjente gjelbërimi, mure përforcuese dhe rrjetit inxhinierik në repartin ushtarak Ferraj te zona e Dajtit.

Ky repart është Komanda Mbështetëse, ku realisht ka një shesh parkimi të automjeteve shtetërore e private të zyrtarëve e punonjësve të tjerë të këtij reparti ushtarak, ndërtuar 2 vite më parë, me tender nga ish-Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, me afat garancie për 10 vite.

Por 3 muaj pas emërimit, ministri aktual Pirro Vengu, ka vendosur të bëjë tender tjetër me vlerë 1.4 milionë Euro me TVSH, për të rindërtuar parkimin, duke e zbukuruar me lulishte, rrugica të reja, madje dhe me mur rethues, kur krejt reparti ushtarak Nr. 4030 në Ferraj- Dajt është i rrethuar e me roje ushtarake.

Tenderi është me Numër Reference 28064-11-05-2024 dhe sipas shpalljes që ka bërë Ministria e Mbrojtjes, do zhvillohet në datën 21 nëntor 2024.Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, Drejtoria e Financës dhe e Buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes, ka kundërshtuar këtë tender si shpenzim të pa planifikuar e të kryer më parë, por ministri Pirro Vengu e ka shpallur nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Aleks Marku, të cilin e ka sjellë nga Porti Detar i Durrsit, ku, kur ishte drejtor e kishte shef juridik e të prokurimeve./Pamfleti