Prapaskena

Investigim

Skandal në shëndetësi / “Karafilët” e Don Boskos që rrezikojnë shëndetin publik me Diagnostic Center, mashtrime fiskale, abuzime mjekësore dhe aktivitet pa licencë

Publikuar: 07/11/2024

Shqipëria po përballet me një krizë të thellë në sistemin shëndetësor, ku korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit janë bërë normë. Afera e fundit që përfshin Dr. Erton Karafilin dhe vajzën e tij, Dr. Rea Karafili, hedh dritë mbi praktikat skandaloze që ndodhin pa frikë e pa ndëshkim.

Duke përfituar nga boshllëqet ligjore dhe një sistem mbikëqyrjeje të dobët, Karafilët janë kthyer në shembullin e mjekëve që prioritet kanë vetëm fitimet, duke shpërfillur shëndetin e qytetarëve dhe duke shfrytëzuar shtetin për përfitime të paligjshme.

Skema e mashtrimit “Karafili”

Dr. Erton Karafili, i regjistruar si “person fizik” që në vitin 1997 me një aktivitet të kufizuar në “Ekografi – Laborator dhe Trajnim Profesional,” ka krijuar një model që duket se është dizenjuar për të shmangur taksat. Regjistruar me NUIS K31515080A ky doktor raporton një xhiro prej 3 770 398 lekësh për vitin 2022, por me një fitim qesharak prej vetëm 483 918 lekësh. Kjo arrihet përmes deklarimeve të dyshimta dhe të paqarta të “shpenzimeve” që në thelb minimizojnë fitimin dhe eliminojnë pagesën e taksës mbi të ardhurat.

Në mënyrë të pabesueshme doktor ‘Karafili’ arrin të mbajë kapitalin e regjistruar në shuma të konsiderueshme, me humbje të mbartura që kalojnë vlerën e 10 milionë lekëve dhe tërheq divident pa asnjë taksë mbi fitimin, një model ky që përsëritet në mënyrë skandaloze çdo vit financiar. Si mund të tërhiqen miliona çdo vit ndërkohë që deklarohen fitime minimale? Kjo mënyrë e kamuflimit të të ardhurave nën petkun e një personi fizik është shembulli tipik e flagrant i evazionit fiskal që ‘Krafilë’ të shumtë zhvillojnë nën hundën e institucioneve shtetërore.

“Gonxhja’” e Dr. Karafilit, Rea Karafili

Në të njëjtën linjë me të atin, Rea Karafili ka zgjeruar biznesin e familjes në fushën e trikologjisë me një klinikë të paregjistruar dhe të pambikëqyrur, Tricology Hair Clinic, e cila vepron jashtë çdo lloj kontrolli të autoriteteve. Ajo nuk ka as NUIS për këtë aktivitet, duke krijuar kështu një tjetër front të evazionit fiskal dhe të shmangies së rregullave.

Një “profesioniste” që ofron trajtime për pacientët pa u regjistruar dhe pa asnjë licencë zyrtare. Ky është një tregues tipik i informalitetit dhe tepër i rrezikshëm që ka pushtuar fushën mjekësore në vend.

Ankesat e pacientëve

Përveç mashtrimeve financiare, familja Karafili përballet edhe me akuza për shërbime mjekësore të pakujdesshme e të paefektshme. Pacientët kanë raportuar diagnostikime të gabuara dhe trajtime të kushtueshme pa asnjë rezultat apo rezultate pozitive. Në veçanti, trajtimet e kushtueshme të ofruara nga “Dr” Rea Karafili për rënien e flokëve janë denoncuar për mungesë efektiviteti, duke lënë pacientët të shokuar dhe me humbje dramatike financiare.

Rasti i Karafilëve është vetëm një pjesë e sipërfaqshme e një skeme shumë më të madhe. Në realitet, sistemi shëndetësor shqiptar është bërë një arenë e përfitimit të paligjshëm dhe të pandershëm. Kohët e fundit, u zbuluan raste të onkologëve që në vend të ofrimit të kujdesit publik, i çojnë pacientët drejt klinikave të tyre private, duke përfituar nga dhimbja dhe sëmundja e tyre. Korrupsioni nuk ndalet këtu; shpërndarja e produkteve të rreme mjekësore, si botoksi i falsifikuar, kërcënon seriozisht shëndetin e qytetarëve. Një operacion selektiv policor është shumë pak në këtë drejtim. “Karafilët” po mbijnë në çdo cep të Tiranës.

Del domosdoshmëri që autoritetet të ndërhyjnë fuqishëm kundër këtyre abuzimeve. Rasti i familjes Karafili është një kujtesë kritike për nevojën e një mbikëqyrjeje të rreptë dhe të qartë në sektorin shëndetësor. Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë dhe llogaridhënie sepse është jetike që të rikthehet besimi tek profesionistët e shëndetit që duhet të kenë në plan të parë shëndetin e pacientëve, e jo përfitimet skandaloze pa letra financiare.

Institucionet përkatëse shëndetësore dhe tatimore të shqyrtojnë si fillim praktikat abuzive të “Karafilëve” të Don Boskos, Erton dhe Rea Karafilit, pastaj të merrren me çrrënjosjen e rrjetit të korrupsionit që rrezikon integritetin e krejt sistemit shëndetësor shqiptar.



Më të lexuarat