Në kërkim për organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh – Prokuroria dërgon në gjyq Fatjon Muratin: Nuk justifikon pasuritë

Aktualitet

Publikuar: 24/10/2024

Në kërkim për organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh – Prokuroria dërgon në gjyq Fatjon Muratin: Nuk justifikon pasuritë

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim Fatjon Muratin, një person i njohur i botës së krimit.

Prokuroria kërkon gjykimin e Muratit për pastrim parash. Murati rezulton ende në kërkim për disa vepra penale si pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike.

Prokuroria e Tiranës thotë se Murati i ka ngritur këto pasuri përmes të ardhurave nga aktivitetet kriminale, kryesisht të trafikimit të lëndëve narkotike në Itali, gjatë periudhës 2014-2015.

Sipas Prokurorisë, Murati nuk justifikon 317 m2 garazh në Tiranë dhe 3 makina Citroen, Mercedes Benz dhe Daimler.

Pasuritë, Murati i kishte fshehur ne emër të familjarëve të tij, garazhin në emër të nënës dhe makinat në emër të vëllezërve, me qëllim mbulimin e origjinës së tyre.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin, shtetasin F.M. për veprën penale të ‘Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale’ parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal.

Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për procedimin penal nr.2600/2018, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona”, thuhet në njoftim.

Murati është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.