Afera mafioze e mikrokredive, përveç skemës që ngritën mashtruesit Ibro dhe Meskuti, kërkonte edhe ndihmë nga brenda sistemit bankar.
Arjana Xhafa, bashkë me turko-shqiptarin “kodosh” Seyhan Pencablıgil, bllokoi llogaritë e mijëra klientëve të BKT-së me shkresa fiktive të përgatitura në bodrumet e MCA. Ato u dërguan me arka nëpër bankat e nivelit të dytë, sikur ishin sekuestrime ligjore që bënin përmbaruesit. Në fakt, emrat e disa përmbaruesve të diskredituar u përdorën nga skema e mashtrimit për të justifikuar veprimin e bllokimit të llogarive, sikur ky ishte veprim ligjor.
Në vitin 2021, Arjana Xhafa dha urdhër që të gjitha degët e BKT-së në Shqipëri të bllokonin rrogat mujore të 100 000 shqiptarëve. Përveç rrogave kush kishte llogari tjetër i bllokohej e gjitha pa asnjë kufi. Për këtë urdhër mafioz, Xhafa krijoi një SMS në sistemin e BKT-së me qëllim që dërgohej në telefonat e të gjithë njerëzve.
Përveç SMS-ve u dha degëve një urdhër të brendshëm: “Asnjë lek s’do të marrë njeri pa shkuar te MCA-ja të paguajë”. Kjo ishte pika e nisjes së masakrës me mikrokredi.
Njerëzit shkonin te bankomatët, por nuk gjenin asnjë lek për të tërhequr. Shkonin pastaj te degët e BKT-së ku u thonin: “E ke të bllokuar nga përmbarimi”. Kur kërkonin letrën e bllokimit te sportelet asgjë nuk ju jepej me “urdhër nga lart”.
Nga sportelet, mijëra viktimat e BKT-së drejtoheshin me urdhër të Arjana Xhafës për të gjetur zgjidhje vetëm te zyrat e MCA.
Në zyrat e MCA-së kuptuan “çarkun” e ngritur: “Merr kredi që të lirohet rroga në BKT”.
Mijëra të dëshpëruar që nuk gjenin zgjidhje pranuan kushtet e MCA-së për të zhbllokuar llogarinë e “Arjana Xhafës” dhe kështu u zhytën në borxhe të reja. Burime nga brenda BKT-së hedhin dritë mbi lidhjen e Arjana Xhafës me MCA. “Ajo organizonte bllokimet. Njihte edhe një përmbarues me të cilin fliste rregullisht” – tregon burimi.
Pal Trashaj u vetëhelmua pranë gardhit të SPAK pasi u përpoq disa herë të takonte Arjana Xhafën në zyrat qendrore të BKT-së përballë TEG. Punonjës të BKT-së tregojnë se Arjana Xhafa e shihte nga lart Pal Trashajn kur kërkonte me ngulm takim dhe qeshte…
Ashtu si Pal Trashaj, mijëra të tjerë u zhytën në skemën e mikrokredive. “Xhelatja” e BKT-së, Arjana Xhafa, nuk veproi e vetme në këtë skemë. Ajo kishte bashkëpunëtorë të tjerë brenda BKT-së dhe në Bankën e Shqipërisë.
Ndue Maluta dhe Albina Hasanaj janë drejtorët e besuar të Seyhan Pencablıgil, turkut me pasaportë shqiptare në BKT, të cilët, sipas një burimi breda BKT, ishin të gjithë në dijeni të skemës.
Në Bankën e Shqipërisë, Arjana Xhafa kishte lidhje me Deniz Derrallën, drejtori që mbyllte “vrimat” e ankesave që vinin nga viktimat e bllokuara në BKT. Kjo skemë funksionoi për gati tre vjet derisa shpërtheu, duke shkaktuar edhe vetëvrasje, përveç mijëra të mashtruarve.
Më 26 gusht të këtij viti, Prokuroria e Tiranës i dërgoi një shkresë bankave të nivelit të dytë me titullin “Dërgojmë informacion për heqjen e sekuestros së llogarive bankare”. Shkresa e Prokurorisë ka krijuar habi të madhe në rrethet e juristëve, për faktin se organi i akuzës nuk dërgon asnjëherë informacion tek ata që kanë kryer vepra penale, por i heton ato duke ua sekuestruar informacionet.
Shumë banka të nivelit të dytë nuk kishin zbatuar skemën e dirigjentes së “BKT”, Arjana Xhafa, për të mbajtur llogaritë e njerëzve të bllokuara për vite me radhë. Kështu që shkresa “populiste” e Prokurorisë nuk pati asnjë efekt për to. Ndërsa për Arjana Xhafën dhe BKT-në erdhi momenti i “alibisë” bashkë me shpëtimin.
Me një mesazh telefonik të dërguar nëpërmjet sistemit të BKT-së, ajo njoftoi 100 000 klientë se llogaritë e tyre ishin zhbllokuar nga përmbarimi. Ky është një mashtrim i shumëfishtë nga ana e Arjana Xhafës dhe vetë BKT-së, sepse zhbllokimi i llogarive sipas shkresës së Prokurorisë nuk po bëhej nga një përmbarues, as nga gjykata, madje as nga vetë Prokuroria.
Prokuroria i kujtoi BKT-së se llogaritë nuk duhet të mbahen të bllokuara për më shumë se 10 ditë, nëse përmbaruesi nuk komunikonte me bankën për të sqaruar çfarë do të bëhet me llogarinë e sekuestruar prej tij. BKT-ja e Arjana Xhafës i kishte mbajtur tre vjet të bllokuara të gjitha llogaritë duke e ditur shumë mirë skemën MCA, sepse ishte vetë pjesë e saj.
Arjana Xhafa, BKT, Banka e Shqipërisë dhe banda e MCA mbajtën llogarinë e Pal Trashajt të bllokuar për tre vjet derisa ai vdiq. Në shtator të këtij viti, në telefonin e Palit u dërgua mesazhi mashtrues nga BKT: “Llogaria jote u zhbllokua nga PËRMBARIMI.”
Ky mesazh zhbllokimi, i dërguar edhe në telefonat e 100 000 shqiptarëve të tjerë të mashtruar njëlloj, përbën një mashtrim akoma më të madh se ai i vitit 2021, kur ata u njoftuan me një mesazh të ngjashëm se llogaria u ishte bllokuar.
Herën e parë, skema e mashtrimit kishte përdorur disa emra përmbaruesish të blerë për të justifikuar bllokimin e llogarive, ndërsa këtë herë për zhbllokimet po përdorej vetë Prokuroria, ajo që kishte futur përmbaruesit në burg.
Del një pyetje thelbësore për këtë mashtrim të ri: Kush është “Përmbarimi” që liroi 100 000 llogaritë e bllokuara nga Arjana Xhafa dhe BKT-ja?
100 000 SMS-të e BKT-së synojnë të fshehin një mashtrim akoma më të madh se ky i mikrokredive. Arjana Xhafa i dërgoi në ditët e para të këtij shtatori një mesazh telefonik edhe Pal Trashajt ikur nga kjo botë me maraz, duke i thënë se tashmë llogaria e tij u zhbllokua.
BKT duhet të sqarojë publikisht familjen e Palit ashtu si gjithë të tjerat:
Kush e zhbllokoi llogarinë e Pal Trashajt, Prokuroria apo Përmbarimi?
Po 100 000 shqiptarë të tjerë kush i zhbllokoi me një SMS në shtator 2024?
Nëse BKT nuk e bën këtë, përgjigjen duhet t’a japë Prokuroria. Ajo që këshilloi Arjana Xhafën e mikrokredive: “Hiqi shpejt bllokimet se u bë bozë…”