Ilir Meta: Nga takimi me Ramiz Alinë në Dhjetor ’90, tek arrestimi nga SPAK

Politikë

Publikuar: 22/10/2024

Ilir Meta: Nga takimi me Ramiz Alinë në Dhjetor ’90, tek arrestimi nga SPAK

Takimi i studentëve në vitet ’90 me udhëheqësin e atëhershëm komunist, Ramiz Alia, do të shërbente si pikënisje e karrierës politike për shumë prej tyre. Një ndër ta ishte edhe Ilir Meta. Shfaqja e tij e parë publike dhe angazhimi politik nis pikërisht gjatë këtij takimi, ndërsa në vitet në vazhdim ai do të mbante postet më të larta shtetërore.

Më 27 gusht 1993, Parlamenti i Shqipërisë u zhyt në një debat të ashpër për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta, një prej më të rinjve të asaj kohe në parlament. Ai u akuzua për organizimin e një proteste në Poliçan, që përfundoi me armë kundër forcave të rendit. Në atë seancë debatesh të ashpra, Pandeli Majko, bashkëpunëtori më i afërt i Metës në forumin rinor socialist, foli me emocione, duke artikuluar se kjo betejë politike ishte tepër e rëndë për shpatullat e brishta të të rinjve të FRESSH-it. Udhëheqësit e Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe Gramoz Ruçi, shfaqën gjithashtu ndjenja të forta emocionale. Nano deklaroi: “Po luhet me fatin e shqiptarëve, jo thjesht me Ilirin, që është më i miri ndër ta. Po e përsëris, më i miri.” Ndërsa Ruçi përmendi: “Po po… po luhet në kurriz të studentëve të dhjetorit, lules së demokracisë.” Ndërkohë, Ilir Meta, në moshën 23-vjeçare, shfaqej qetësisht: “Unë s’jam karagjoz që për hir të disa provokatorëve të vë në dispozicion imunitetin tim.” Ilir Meta nuk e dorëzoi mandatin dhe nuk shkoi në burg në atë kohë.

Pas kësaj, do të kalonin vite të ngarkuara me sfida dhe përplasje politike, me një opozitë të ashpër kundër Berishës dhe më vonë një betejë të brendshme për pushtet brenda Partisë Socialiste me Fatos Nanon. Meta do të ngjitej shpejt në majat e pushtetit, duke mbajtur postet e ministrit, zëvendëskryeministrit dhe më vonë, në vitet 1999-2002, edhe të kryeministrit. Gjatë këtij udhëtimi, Meta do të kishte miq dhe bashkëpunëtorë, por edhe armiq të fuqishëm, shpesh më shumë brenda PS-së sesa jashtë saj. Meta pati një përballje të gjatë me Fatos Nanon, por gjatë kësaj kohe ishte në aleancë të ngushtë me Edi Ramën, që në atë kohë ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Beteja e brendshme në PS do të kulmonte me largimin e Metës nga Partia Socialiste dhe themelimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në vitin 2004.

/Tema