Prapaskena

Kryesore

Zëdhënësi i Berishës analizon vjershat e Koloreto Cukalit. A do futen në listat e PD? Përlajnë fonde nga BE, bëjnë thirrje për hetim të gazetarëve dhe mbrojnë oligarkët

Publikuar: 09/10/2024

Drejtori për Mediat në Partinë Demokratike Alfred Lela ka analizuar nga ana estetike një libër me vjersha të Koloreto Cukalit, drejtor i Këshillit Shqiptar të Medias, i cili vijon të mos bëjë transparente fondet që ka përfituar nga Bashkimi Evropian në emër të medias dhe ku kanë përfunduar këto fonde.

Kjo nuk do të thotë se Koloreto Cukali ka drojë nga statusi i tij si vjershëtar, por pa e thënë, shqetësohet nga shpërfillja në sferën publike e një prej zhanreve më të vjetra dhe më fisnike të qytetërimeve: poezisë. Shpërfaqja e kësaj brenge është ndoshta edhe vetë arsyeja që e shtyn atë të shkruajë. Në një kod, në një gjuhë, në një gjini që duket pothuajse e harruar. Ndoshta kjo është mënyra e tij e rebelimit, përpjekja për të mbajtur të gjallë, kundër rrymës, industrinë e lehtë të vargut, përkundër industrisë, gjthnjë e më të rëndë, të imazhit, të përsëritjes së tij gërditëse e të pafund…“, shkruan Lela.

Krahas bashkëpunimit në ‘avullimin’ e fondeve të BE me Këshillin fantazmë të Medias, Këshillë që ka marrë hijen e AZHBR-së, Lela dhe Cukali kanë si pasion edhe vjerrshat.

Madje Lela, përpos analizave estetike, i ka kushtuar një poezi edhe Sali Berishës në 78-vjetorin e lindjes, me titullin
“Silueta e Doktorit’.

Shfaqet silueta e Doktorit;
E bëjnë të mundur koha dhe vendet.
Duke udhëtuar me një salmon
Me synimin e kohës së vet dhe vendit të vet nëpër kohë.

Është spikamë apo krismë,
Plis malësorësh apo nyj Kanuni?
Gjithçka mund të jetë, dhe ashtu duket se është:
E pakohë në kohë si Lekë Dukagjini…
“.

Me këtë poezi, Lela duket se ka siguruar një vend të sigurt në listën e Berishës dhe Argitës për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Mbetet për t’u parë nëse Sali Berisha, non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe si dhe nën akuzë nga SPAK për korrupsion, do t’i gjejë ndonjë vend edhe Cukalit në listën e kandidatëve për deputetë.

Edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë dhe nuk kanë nëshkruar një investigim në jetën e tyre, Lela dhe Cukali flasin dhe marrin fonde në emrin e mediave dhe mbrojtjes së gazetarëve.

Koloreto Cukali e ka kthyer Këshillin Shqiptar të Medias në zëdhënës të oligarkëve dhe mburojë e interesave të tyre financiare. Një çetë e kompromentuar dhe pa asnjë lidhje me gazetarinë, për të justifikuar thithjen e fondeve, u tregon mediave parimet e gazetarisë.

Jo vetëm kaq. Këshilli i Mediat është e vetmja organizatë, e cila ka dalë me deklaratë publike, duke bërë thirrje për hetim dhe arrestim të gazetarëve, ndërsa Cukali, sipas gazetës Tema, ka marrë pjesë në gjyqe kundër gazetarëve.

Nga ana tjetër, i ashtuquajturi Këshilli i Mediave ka futur kokën në rërë kur gazetarë janë kapur në flagrancë duke shtrënguar kompaninë One Albania për dhënie pasurie.

Edhe pse nuk ka asnjë lidhje me etikën dhe mediat, po e sfidojmë edhe një herë Këshillin e Medias: A keni një qëndrim për këtë material audio?!

Këshilli i Medias i Koloreto Cukalit ose xhepi i pasëm i Berishës që ‘rruan’ fondet e BE-së

Analiza e Alfred Lelës për librin me poezi të Cukalit

Koloreto Cukali, nëpër ato takimet e mërzisë, në cilindo hotel të Tiranës ku promovohen libra, zhvillohen seminare, apo jepen mend nëpër konferenca bombastike, me zgjidhje të mëdha për Shqipërinë, mund të shpërndate disa kartvizita. Si filmmaker, ojf-ist, radio show host, kolumnist etj. Jo se ka dalë, ende, ndokush që të ketë një kartvizitë që lexon thjesht Poet por, ma do mendja, se Cukali nuk do të prezantohej ndokund, askund, si i tillë.

Kaq diskret, thuajse si një seancë masonike, e kishte edhe përurimin e librit në QKLL (Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit) e cila, në një mënyrë krejt të çuditshme, dhe ndoshta poetike, ndodhet në shpinë të një bari.    

Kjo mizanskenë urbane e bënte përurimin e librit të Cukalit të dukej si një akt ilegal, revolucionar. Këtë përshtypje, me sa duket, ka edhe autori, i cili duke folur për librin tha se poezia duhet shpërndarë si trakt.

Kjo nuk do të thotë se Koloreto Cukali ka drojë nga statusi i tij si vjershëtar, por pa e thënë, shqetësohet nga shpërfillja në sferën publike e një prej zhanreve më të vjetra dhe më fisnike të qytetërimeve: poezisë.

Shpërfaqja e kësaj brenge është ndoshta edhe vetë arsyeja që e shtyn atë të shkruajë. Në një kod, në një gjuhë, në një gjini që duket pothuajse e harruar. Ndoshta kjo është mënyra e tij e rebelimit, përpjekja për të mbajtur të gjallë, kundër rrymës, industrinë e lehtë të vargut, përkundër industrisë, gjthnjë e më të rëndë, të imazhit, të përsëritjes së tij gërditëse e të pafund.

Në të njëjtën kohë, poezia mund të jetë edhe mënyra se si Koloreto Cukali rrëfehet për ato ‘mëkatet’ që ai bën kundër poezisë, pjesëmarrjes, për një arsye a tjetër, në pop kulturë, në komunikim masiv.
Pak a shumë, siç e thotë vetë në një prej vargjeve Dritaret e autobusëve janë kthyer në ekrane TV,/ ku dalin ata që u është mohuar/ koha që u takon në ekranet kombëtare.

Në këtë kuptim, poezia e Cukalit është e angazhuar, jo në tehun që i jepnin angazhimit të majtët e mesit të shekullit 20, por krejt ndryshe, një angazhim shpirtëror. Jo për të përkufizuar klasat dhe rendet shoqërore, por shpirtëroren dhe ku po e çon ajo njerëzimin (apo njerëzimi shpirtëroren).

Të kësaj grimase duket se janë edhe vargjet Viti ‘92 duket shumë larg, /laheshim më rrallë, /por mbanim më pak erë, /kishim mundësi të shiheshim në sy e në rrugë.

Intimitetet që shpalosen në poezitë e Cukalit shndërrohen në socialitete, sepse poezia për të është një akt përkundër sistemit, siç është edhe një sistem aktesh të cilat konfigurojnë një gjendje shpirtërore dhe shoqërore dhe ashtu, të dyja bashkë, atë hapësirë që njohim si bashkësi.

Kjo bashkësi, në vargjet e Cukalit, përballet me një ekzorcizëm që është sa i autorit sa i subjekteve të tij poetike. Kështu Të dashurat tona mbajnë era tym/ si të vini prej pub-esh/ ose prej turrave të druve. Hundët e tyre të reja/ i çojnë pa shpëtim drejt kasaphanës.

Kur flet për ‘kasaphanë’, autori ka parasysh klinikat estetike të Tiranës, por sidomos vitrinat shtypëse në të cilat janë kthyer rrjetet sociale, ekranet dhe gjithë industria e wanna be që lulëzon në Shqipëri.

Kjo atmosferë, kjo shtypje, që gjendet edhe në një varg hatibian të Cukalit shpaloset kështu: Na shtypin pallatet/ që ecin rrugëve si makina të dehura.

Koloreto Cukali, në vend të kartvizitës, mund të shpërndajë me lehtësi librin e vet, dhe të thotë pa drojë: jam poet. Fakti që ai është i heshtur, si poet, jo si njeri i angazhuar i sferës publike lidhet me faktin se, si zejtar, ai jeton për shpirtëroren, si profesionist i duhet të jetojë.

Në vargje si këto: Ka shumë gjëra që po vdesin,/ e gjelbra natyrale,/ petat,/ dhe burrat me emrin Gegë. Por, jo ti./ Ti merr frymë azbest/ dhe ngjeshesh nëpër autobusë/ duke mbrojtur celularin, zbulohet një burrë që rizbulon të shkuarën, të vjetrën, tradicionalen, jo vetëm si përmasë kohore, por më shumë si kundravënie, si kontrast, si mbijetesë, po deshe. Në këtë kuptim Cukali është konservator, dhe me të drejtë. Çdo stërpërsëritje që paraqitet si e re, me siguri ia sjell në majë të hundës.

Në finale, për poezinë e Koloreto Cukalit mund të thuhet se është një akt subversiv, jo për të sjellë diçka të re (ky është iluzion-nuk ka asgjë të re që nga kulla e Babelit’)- por për t’u mbajtur te e njohura.

Kjo e bën atë poet të mirëfilltë, dhe librin e tij Marshi funebër i gjelave të detit, një kartvizitë të sigurt për antologjitë e ardhme të poezisë shqip.  



Më të lexuarat