Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD, që u thirr nga Gazment Bardhi. Ky takim vjen një ditë para seancës plenare në Kuvend.
Bardhi ka deklaruar se aksioni opozitar do të vijojë, ndërsa ka siguruar se nesër, pavarësisht pengesës që mund t’u vihet përpara, do të jenë në seancë.
“Nesër të gjithë do të jemi në seancë plenare. Grupi i PD do paraqitet në seancë plenare, mund të na vejnë përballë ushtri dhe polici, një Kuvend në një vend anëtar të NATO dhe kandidate për BE që pengon deputet të hyjnë në vendin e tyre të punës shfaq tiparet e një shteti që po ndërton Edi Rama.
As deputetët e pa përjashtuar nuk u lejuan që të futen në seancë. Na ka hapur luftë dhe ne do i përgjigjemi në mënyrë proporcionale”, tha Bardhi ndër të tjera.
Kujtojmë se në dy seancat e fundit plenare, opozita ka shkaktuar tensione. Të hënën e kaluar deputetët dogjën karriget në oborrin e Kuvendit, ndërsa të enjten deputetët e PD nuk u lejuan të hyjnë në godinë, pas vendimit të Sekretariatit të Etikës, për pezullimin e 24 deputetëve pas kaosit në seancën plenare. Kjo shkaktoi trazira dhe përplasje mes deputetëve të PD dhe Gardës.