Në një kohë kur Sali Berisha dhe Ilir Meta po bënin përgatitjet e fundit për mosbindjen e dështuar civile, me shpresë për t’i shpëtuar goditjes së SPAK, një ekip i FBI mblodhi në një trajnim maratonë në Peshkopi prokurorët e SPAK, të njohur edhe si Çeta e Dibrës, e cila po i shemb murin e krimit dhe korrupsionit elitar në Shqipëri.
Në takimin e Byrosë Federale e Hetimeve dhe prokurorëve të SPAK është diskutuar mbi përparësitë kryesore të Prokurorisë së Posaçme, që janë dosjet e krimit dhe korrupsionit, duke përfshirë dosjen e Ilir Metës, por edhe dy çështjet e tjera të Sali Berishës, Gërdeci dhe 21 Janari.
Seminari i zhvilluar nga Programet e Ambasadës Amerikane, kishte si qëllim mbështetjen e institucioneve të pavarura të Shqipërisë, në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përmes një njoftimi, Ambasada Amerikane në Tiranë dha një mesazh të qartë se nuk ka krhim pas në luftën e nisur për goditjen e kokave të korrupsionit në Shqipëri, mesazh i cili tingëllon për Sali Berishën dhe Ilir Metën.
“Fundjavën e kaluar OPDAT zhvilloi një seminar koordinues për prokurorët e SPAK në Peshkopi. Së bashku me përfaqësues nga OPDAT, ICITAP dhe FBI, prokurorët e SPAK u takuan për të diskutuar mbi përparësitë kryesore të SPAK. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me vendosmëri pranë institucioneve të pavarura të Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruhet në llogarinë në Facebook të Ambasadës Amerikane, ndërsa kanë ndarë edhe disa fotot nga takimi.