“Hiq kallëzimin, merr lekët”/ Pas denoncimit të Fiks Fare, pezullohet efektivi i policisë në Shijak, nis edhe hetim disiplinor

Aktualitet

Publikuar: 24/09/2024

“Hiq kallëzimin, merr lekët”/ Pas denoncimit të Fiks Fare, pezullohet efektivi i policisë në Shijak, nis edhe hetim disiplinor

Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në televizionin Top Channel, ku shfaqet një punonjës policie, ju bëjmë me dije se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të pikës 8 të nenit 222 të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, punonjësin e Policisë Nënkomisar E. Ç., me detyrë oficer në Komisariatin e Policisë Shijak.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tij, për shkelje të pikës 1 të nenit 209 të Rregullores së Policisë së Shtetit “Nuk përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë.

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.