Më mirë një skandal seksual se sa juridik. Burrë e grua Asim Vokshi i Gjykatës së Lartë e Jonida Rystemaj japin leksione durimi për njerëzit që kërkojnë drejtësi. Kalimi me stil i Vetingut dhe lidhja me Argitën

Investigim

Publikuar: 11/09/2024

Më mirë një skandal seksual se sa juridik. Burrë e grua Asim Vokshi i Gjykatës së Lartë e Jonida Rystemaj japin leksione durimi për njerëzit që kërkojnë drejtësi. Kalimi me stil i Vetingut dhe lidhja me Argitën

Nuk ka vetëm skandale seksuale në nivelet e larta të gjyqësorit shqiptar, si ai i “erosit” mes një gjyqtari kushtetues dhe një praktikanteje të ligjit që shkëmbeheshin online ashtu si në krevat. Kur ‘llogaria’ ecën mirë, ecën edhe fantazia. Një çift i nivelit të lartë, burri gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe gruaja pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë, me sa duket kanë probleme me shtratin e sistemit të drejtësisë.

Për Asim Vokshin dhe Jonida Rystemajn nuk është problem se drejtësia në Shqipëri nuk “shërbehet” në kohë dhe brenda afateve të arsyeshme; nuk ka problem se vendimet e gjykatave mund të vonohen edhe me 10 ose 15 vjet.

Me rëndësi për të dy këta “lëpirës” të promovuar pushteti është që njerëzia në Shqipëri të durojë ‘me durim’ derisa të kthehet në rrugën e duhur gjyqësori.

As juristët më të thekur pro qeveritarë nuk kanë guxuar ta “vulosin” skandalin e mosfunksionimit të gjykatave me shkrim, duke u përpjekur me retorikë drejtësie thjesht ta anashkalojnë atë.

Një ekzibicion juridik tip sprovë e shkruar në gjuhën angleze që mban autorësinë e çiftit heroik titullohet: “Një qasje praktike dhe analitike e mekanizmave që justifikojnë shkeljet e afateve të arsyeshme të gjykimit në procedurat gjyqësore që ndiqen në Shqipëri.”

Vokshi, që ka fituar mandatin e gjyqtarit të lartë pasi u “fal” nga Vettingu, ftoi në një sprovë gruan e tij, Rystemaj, lektore në Fakultetin e Drejtësisë dhe të dy bashkë i treguan gjyqësorit të Ballkanit dhe mbarë botës se si gjykatat në Shqipëri mund të vonohen edhe me shekuj për nxjerrjen e një vendimi, por kjo kohë justifikohet kur bëhet për një qëllim më të mirë.

Dy juristët shkruajtën në qershorin e vitit 2023:
Reforma në gjyqësor u hartua për të forcuar pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit; për të rritur besimin e publikut dhe për të garantuar një gjykim të drejtë në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, një numër i madh gjyqtarësh janë shkarkuar, gjë që ka kontribuar negativisht në zgjatjen e procedurave dhe në rritjen e shpejtë të ngarkesës ekzistuese të çështjeve të pazgjidhura…Ndoshta, për një kohë të shkurtër, mund të ketë vonesa në dhënien e drejtësisë, por ndikimi pozitiv që kjo reformë do të ketë në administrimin e duhur të drejtësisë duhet të tejkalojë këto ndikime të jashtme…Prandaj, kërkohet një kuptim i drejtë i mekanizmit, si dhe një periudhë kohe për t’i lejuar gjyqësorit të kthehet në rrugën e duhur ndërsa plotëson vendet vakante…Aktualisht, kur gjykatat vendase janë të mbingarkuara nga numri i tepërt i çështjeve të pazgjidhura, mund të jetë e pamundur për to që të trajtojnë në mënyrë të duhur kërkesat për shkelje të kërkesave për kohë të arsyeshme. Dikush mund të argumentojë se gjykatat duhet të prioritizojnë këto kërkesa që po rriten; megjithatë, duke vepruar kështu, do të rezultojë në vonesa të mëvonshme në zgjidhjen e çështjeve të tjera në bazë të meritave të tyre dhe do të rrisë numrin e çështjeve që janë në shkelje të arsyeshmërisë së procedurave para gjykatës. Duke marrë parasysh këtë sfond, opsioni më i realizueshëm është të mos merret parasysh koha gjatë së cilës gjykata është e pa plotësuar për shkak të procesit të vetingut. Kjo duhet të konsiderohet si një periudhë ku është objektivisht e pamundur për gjykatat të veprojnë me shpejtësi. Kjo qëndrim është në përputhje me dispozitat e KPP-së që koha gjatë së cilës rrethanat e kanë bërë objektivisht të pamundur përparimin nuk llogaritet në përcaktimin e kohëzgjatjes së procedurave.

Çifti guximtar juridik me këtë studim ka pohuar skandalin se në Shqipëri gjykatat nuk funksionojnë dhe se drejtësia nuk mund të jepet brenda një kohe të arsyeshme, por kjo pamundësi justifikohet.

Për të mbushur gjykatat bosh, Vetting-u i dhuroi sistemit gjyqtarë si Vokshi, ndërsa për të mësuar studentët se si duhet të respektohen afatet e vendosura me ligj, Universiteti promovoi lektorë si Rystemaj.

Trupa e Komisionit “Vetting” e vuri para përgjegjësisë gjyqtarin Vokshi kur ai doli para tyre, sepse prindërit e tij nuk justifikonin të ardhurat për t’i dhuruar atij një apartament 44 m² në vitin 2011, si dhe i mungonin dokumente provuese për 40 mijë marka gjermane bashkë me rreth 2.4 milionë lekë të përfituara nga trashëgimia e babait në Kosovë.

Pasi gjyqtari u orvat të sillte “dëshmitarë” heronjtë e fisit, gjyshin dhe xhaxhain kosovar prej vitit ’44, në fund u dorëzua duke u justifikuar se “ai kishte qenë nxënës në kohën kur prindërit ishin marrë me biznes dhe nuk kishte pasur ndikim apo vendimmarrje në punët e tyre.”

Të njëjtën “pafajësi” duhet t’ia vishte gjyqtari Vokshi edhe sprovës së tij “prit gomar të mbijë bar”, por harroi. Populli, njerëzit e thjeshtë janë “fëmijë” që nuk kanë faj se “baballarët” e kombit vendosën të sistemojnë gjykatat. Ata duan drejtësi sot, jo mot!

Jonida Rystemaj, pedagogia që mbulon lëndën “E drejta e shoqërive tregtare” si ndihmëse e ‘socialistes’ Argita Berishës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, është përzgjedhur të jetë një nga ekspertët e nivelit të lartë që do të angazhohen në komisionin e posaçëm “Anti-korrupsion” të drejtuar nga “demokrati” Fatmir Xhafaj.

‘Puthja’ pozitë-opozitë dallohet mirë në shumë emra pushtetlëpirës të peshkuar si ekspertë të këtij komisioni. Prof. Asoc. Dr. Jonida Rystemaj bën diferencën ndër ta. Ajo ka shkruar para se komisioni “Antikorrupsion” të fillojë punën për reformën e dytë të sistemit të drejtësisë. Bashkë me “heroin” e saj Vokshi të dy hynë në historinë e jurisprudencës botrore me gjetjen: Drejtësi e vonuar nuk është drejtësi e mohuar!