Megi Doçi, futbollistja matjane me famë botërore që luan me Galatasarayn, golashënuesja më e mirë në botë

Kryesore

Publikuar: 10/09/2024

Megi Doçi, futbollistja matjane me famë botërore që luan me Galatasarayn, golashënuesja më e mirë në botë

Në Mat ka patur dhe ka vajza e gra shumë të zonja. Kanë shkëlqyer ato në fusha të ndryshme. Kanë bërë karrierë në fushën e historisë, kulturës, politikës, sportin e qitjes, etj. Por, në sportin e bukur të futbollit vetëm Megi Doçi na ka bërë krenar. Ajo është tashmë një futbolliste me famë botërore.

Gjatë bisedave me babain e saj dhe mesazheve elektronike që kemi shkëmbyer me futbollisten e madhe kam tentuar të realizoj një intervistë me vajzën e suksesshme, por ajo u federua me klubin e njohur turk Galatasaray, pra u largua nga vendi. Pra ishte e pamundur të realizoja një bisedë direkte me sportistet e klasit të lartë. Sëbashku me zyrtar të pushtetit vendor është menduar që Megi Doçi të vlerësohet me një titull nderi me bindjen e plotë se ajo meriton më shumë.

“Unë nuk kam pasur ndonjëherë kukulla, vetëm topa futbolli. Dhurata ime e parë ka qenë një top futbolli. Edhe sot vazhdojnë më dhurojnë po të njëjtën lodër”, është shprehur për mediat vajza nga Prelli i Matit.

Ajo deri në moshën 12 vjeçare luante me djemtë e vajzat e fshatit, në livadhet e bukur të vendlindjes. Ishte tepër e shkathët, e fortë, e talentuar.

Që në moshë fare të re ajo nuk pajtohej me mentalitetin rural se vajzat nuk duhet të lunajnë futboll, pasi ai është sport për burra. Jo vetëm e theu këtë tabu, por tani Megi Doçi është një nga futbollistet shqiptare që kërkohet nga klubet e botës.

Sapo mori vesh se në kryeqytet ishte hapur një ekip futbolli vetëm për vajza, “Dardania”, ajo u lutet prindërve dhe të afërmëve t’i mundësojnë aktivizimin në këtë skuadër. Familja e tezes vendosi ta ndihmonte Megin dhe i ofroi familjes së saj dhe Megit mbështetjen e plotë që ajo të ndiqte pasionin që kishte.

Regjistrohet në shkollë dhe në ekipin e futbollit të vajzave. Largimi nga prindërit, të afërmit, shoqet e shokët, mësuesit, fshati i bukur nuk ishin një gjë e lehtë për këtë fëmijë me ëndërra të mëdha.

E pranon edhe vetë kur shprehet: “Ishte e vështirë, pasi më mungonte familja, ndërrova shoqërinë, kalova nga fshati në qytet dhe jeta këtu është më e vështirë se në fshat. E vështirë shumë, sepse nuk njihja njeri, por gjeja gjithmonë mbështetje te loja e futbollit.”

Karriera e Megit është mbreslënëse. Ka luajtur për herë të parë me ekipin e Dardanisë, një ekip i vogël i kryeqytetit me të cilin ka shënuar vetëm 4 gola. Më pas ka vijuar me Tirana AS ku falë lojës së saj shënoi 22 gola.

Me KF Ada shënoi 30 gola dhe që prej vitit 2013 është pjesë e Vllaznisë së Shkodrës. Vetëm në edicionin 2019-2020 ka shënuar 88 gola duke fituar trofeun “Këpuca e Artë” në kampionatin e femrave në Shqipëri. Sakaq në edicionet 2017-2018 dhe 2018-2019, ajo është shpallur golashënuesja më e mirë në botë nga blogu “Futebol Feminino Alternativo”. Duke qenë e re në moshë futbollistja e talentuar ka mundësi të thyejë çdo rekord aktual, edhe në arenën ndërkombëtare, dhe të shkruajë historinë e futbollit botëror.

“Për çdo gjë kur shpërblehesh sigurisht që është ndjesi e veçantë… 88 gola në sezon është sa e habitshme, por duhet të dini që ka edhe shumë punë brenda, nuk është kaq e thjeshtë, pasi nuk më ka thënë njeri që ik bëj gola se e ke gati portën. Çdo gjë është bërë me djersë dhe mund, por sigurisht edhe me ndihmën e shoqeve të ekipit”, -shton sulmuesja e kampioneve të Shqipërisë, Megi Doçi.

Kujtimi më i vyer dhe më i paharrueshëm mbetet suksesi me ekipin e Vllaznisë në grupet e UEFA Champions League. “Momenti më i bukur ka qenë kur u kualifikuam në Champions League me Vllazninë, sepse kishte shumë vite që kërkonim të ishim pjesë e 32 ekipeve më të mira në Europë dhe penalltia që shënova unë ishte vendimtare.”

Vajza nga Mati, është gjithashtu shënuesja më e mirë e kombëtares shqiptare, me 11 gola në 43 paraqitje. Futbollistja Megi Doçi ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke firmosur me Gallatasarayn e vajzave në Turqi. 27-vjeçarja në 11 kampionate ishte pjesë e Vllaznisë së Shkodrës, ekip me të cilin ka shënuar mbi 700 gola.

Çdo shqiptar e respekton këtë futbolliste brilante, këtë vajzë të emancipuar e guximtare, të veçantë, luftarake, të paarritshme.

Hasan PASHA