Mafia e kambizmit / Iliria ’98 e Shefqet Dizdarit që i kaloi treshes Liu, Tuti e Mondi. Masakra e ekonomisë nëpërmjet zyrave të këmbimit valutor

Investigim

Publikuar: 10/09/2024

Mafia e kambizmit / Iliria ’98 e Shefqet Dizdarit që i kaloi treshes Liu, Tuti e Mondi. Masakra e ekonomisë nëpërmjet zyrave të këmbimit valutor

Kursi i këmbimit të euros, dollarit dhe të gjitha valutave të huaja me lekun ka prekur nivele të mjerueshme në vitin 2024. Rënia vit pas viti sipas Bankës së Shqipërisë shpjegohet me terma të pakuptueshëm bankarë ose me shprehjen e ëmbël “mbiçmimi i lekut”.

Kursi aktual i këmbimit i cili ka shkatërruar remitancat dhe kursimet në euro, paund apo dollar të familjeve të varfra shqiptare ka pasuruar xhambazët e kambizmit dhe “aksionerët” e tyre në Bankën e Shqipërisë.

Janë rreth 600 zyra të këmbimit valutor të licencuara nga BSH, por vetëm një ose ndonjë tjetër e ngjashme me të bën ‘ligjin’, bën “exchange-in” që më pas imponohet në Tiranë, në aeroport, në kufij dhe në rrethe.

“Mbiçmimi” galopant i lekut në tre vitet e fundit ka shkatërruar ekonominë e brishtë shqiptare, duke mbuluar defiçitin qeveritar dhe duke pasuruar xhambazët e “exchange-it” dhe maskarenjtë e Bankës së Shqipërisë.

Miliona euro të bandave të drogës futen në “exchange”-et e ‘kontrolluara’ nga BSH. Nr.1 është “Iliria 98,” zyra valutore që bën “exchange”-in e mafies në Shqipëri.

Të gjithë agjentët e këmbimit valutor ulin zërin kur flasin për “Iliria 98”. “Ata janë shteti, ata janë vetë Banka… te ata e marrin të gjithë kursin ditor të këmbimit, dhe kursi shkon gjithmonë në favor të tyre… paratë i ndajnë me ata lart në Bankë, kanë nën hyqëm lekun dhe euron..”

Nga një hulumtim i thjeshtë i të dhënave zyrtare për “Iliria 98”, gjenden ‘njishat e kambizmit’ në Shqipëri. Ata janë “shoqnia e vjetër”, tre ortakët Ali Topalli (Liu), Ilir Janku (Tuti) dhe Edmond Ymeri (Mondi), me në krye administratorin xhambaz Dilaver Stafa (Veri). Ky i fundit përflitet si sekseri dhe miku i ngushtë i Ridvan Bodes.

Liu, Tuti dhe Mondi me Verin në krahët e Bodes janë pronarët e “Llotosportit” dhe të Motel “Tirona” që kanë konvertuar që prej vitit 2000, miliarda vlera valute që nga marka e lira deri te euro dhe dollari.

Me 20 zyra në Tiranë, “Iliria 98” në 2024 ka vendosur diktatin e kursit dhe konvertimit të valutës së huaj me lekun duke komanduar 150 pika të tjera exchange në Tiranë. Kjo ndodh me “dhunën” që ja sigurojnë lidhjet që tre mafjozët e ‘Tironës’ kanë në kupolën e Bankë së Shqipërisë.

Histori me krim

“Iliria 98” është zyra e parë exchange që u krijua nga kambisti i mirënjohur i viteve ‘90, Ndriçim Shehaj.

Shehaj e krijoi zyrën pranë sheshit “para Bankës së Shqipërisë,” si një risi e kambizmit që bëhej në rrugë të “ish dollarit.” Suksesi i Ndriçim Shehajt ra në sy të mafiozëve, Ali Topallit, Ilir Jankut dhe Edmond Ymerit, të cilët “paguan” një killer kambistësh për t’ia marrë biznesin e sapokrijuar.

Shefqet Dizdari detyroi Shehajn t’ia dhuronte zyrën me presionin e “kosovarëve”. Ky u dorëzua dhe doli përsëri në rrugë. Pas dy apo tre muajsh mafiozi Dizdari (miku i Hajdin Sejdisë dhe McGonigal) ja shiti tre xhambazëve të “Tironës”, zyrën e pare exchange në Shqipëri, që janë prej asaj kohe “kursi” i këmbimit valutor ditor në ‘këmbë’ të mafies në Bankën e Shqipërisë.

Mafiozi Dizdari, me rrënjë të thella në shërbimin sekret shqiptar dhe jugosllav, mbajti për një periudhë të gjatë aksione të fshehura në “Iliria 98”, e cila u fuqizua aq shumë sa komandonte në një fazë të caktuar edhe vetë Bankën e Shqipërisë, kur në të hyri Ridvan Bode.

Ura lidhëse, Dilaver Stafa, si administrator i “Iliria 98,” mban mbi shpinë aferën e likuidimit të gjigandit “Llotosport,” sikur të ishte një kinkaleri e një lagjeje periferike.

Cili është roli i Sejkos në masakrën e “kursit të këmbimit mes euros, dollarit dhe lekut”?

Si komandohen tre musketierët e “Iliria 98”?

Një aferë tjetër gjigande e Bankës së Shqipërisë, këtë herë me zyrat e këmbimit valutor. Vijon…