Anëtarët e Asamblesë së socialistëve u bukosën nëpër karrige kur dëgjuan Ramën që ndaloi gjatë në fjalimin e tij, tek vrasja në Pogradec. Të habitur, asambleistët dëgjonin autopsinë që kryeministri i bënte kufomës dhe vrasjes së Egli Progës. I vetmi që zgërdhihej në sallë ishte kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli alias Ilirian Xhago.
Në Pogradec të gjithë e përflasin si mikun e ngushtë të Valter Gores, dajës së vrasësit. Në Pogradec të gjithë e dinë se këta “kushërinj”, bashkë me një bandë halabakësh si vrasësi dhe shokët e tij janë çelësi i fitores së PS-së në qytet dhe në të gjitha rrethinat e Pogradecit, qofshin edhe ato ekstreme të djathta.
Gatuesi i kësaj pjese të fjalës së kryeministrit gaboi rëndë, duke e futur Shefin e tij në një batak akoma më të madh se ai që preku ditën pas vrasjes.
Kryeministri, pasi goditi “protestën” dhe gjuhën ekstremiste të spekulantëve politikë dhe mediatikë tha se:
“Vrasja erdhi si pasojë e një gjobe të papaguar” – gënjeshtër, nuk ka pasur asnjë gjobë. U shkrua se Pogradeci është bërë si qeli e viteve ’80 ku ligjin e bëkan bandat e gjobëvënësve – gënjeshtër, Pogradeci është ndër zonat më të patrazuara nga çdo lloj kriminaliteti në Shqipëri.
U vu kuja se policia kishte tentuar ta fshihte krimin” – gënjeshtër, shpejtësia e policisë në identifikimin dhe kapjen e autorit është e dokumentuar. U bërtit fort se ambulanca kishte ardhur me 40 minuta vonesë – gënjeshtër, koha e lajmërimit dhe e mbërritjes së ambulancës është e dokumentuar. U përhap përralla se autori i krimit kishte mbrojtje politike sepse një dajë i tij ishte eksponent i lartë i Partisë Socialiste në Pogradec” – jo vetëm që dihet botërisht që PS nuk mbron politikisht as ministrat e saj kur ata kërkohen nga drejtësia, por në këtë rast daja, i cili ka qenë dikur pjesë e PS-së, është një person i dënuar për abuzim me detyrën dhe prej kohësh nuk ka asnjë lidhje me ndonjë angazhim të Partisë Socialiste. Ndërkohë që i ndjeri, po, ai ishte anëtar me teser të PS dhe nuk ishte pronari i lokalit ku ndodhi përplasja me pasojë vrasjen e tij, por punonjës i OSHEE-së. Një prokuror i paaftë në rastin më të mirë, i papërgjegjshëm në rastin më të keq, pa kryer asnjë hetim, e ndryshoi përcaktimin e Policisë nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia – duke revoltuar të madh e të vogël. Popullit iu dha, pa pikë turpi dhe mëshire, një dozë helmi të prodhuar për të bërë politikë me një vdekje tragjike, madje duke organizuar një protestë mashtruese kundër qeverisë, ndërkohë që çështja ishte dorëzuar korrektësisht nga policia në duart e një pushteti tjetër, atij gjyqësor.Për të larë pastaj ujin e trashë me të hollin, prokuroria e rrethit Korçë mori të pandehur edhe një polic patrulle, duke treguar se as nuk e ka haberin për rolin e patrullës në raste të tilla, hetimi i të cilave është jashtë çdo kompetence të patrullës policore. Por më keq akoma, duke bërë politikë, në vend që të bënte të vetmen punë që duhet të bënte: hetim të drejtë, të paanshëm, të pavarur dhe sa më të shpejtë.Kjo nuk është as e para, as e fundit lojë politike – mediatike…”
Në çdo rresht të fjalës së tij dikush nën rrogozin e kryeministrisë e futi Ramën në një qoshe të ngushtë nga e cila nuk do të dalë kollaj, sepse fjala e tij është regjistruar dhe dëgjuar nga të gjithë. Sidomos nga populli që “pa pikë turpi… doli në një protestë mashtruese”.
Të gjithë e panë se protesta u thirr nga motra e të ndjerit dhe se s’kishte organizim politik. Nuk pati masivitetin e turmës që thërret partia. Dy-tre parapolitikë spontanë, si Lapaj, Sako apo ndonjë tjetër nuk mund ta ngatërrojnë një marshim të dhjetëra qytetarëve të lënduar nga ngjarja si një mashtrim popullor politik. Nëse kryeministri do mendonte më shumë, nuk do të lexonte këtë thagmë në fjalimin e tij parazgjedhor.
Rama i trajtoi si gënjeshtra të gjitha lajmet mediatike rreth ngjarjes, duke dhënë verdiktin e tij për vrasjen, duke thënë se vrasja nuk erdhi për shkak të gjobës së papaguar. Po sikur nesër të vërtetohet nga hetimet, madje të pranohet edhe nga vetë vrasësi apo vrasësit, se viktima Proga u gjobit, çfarë do të thotë kryeministri? Do jenë manipuluar provat dhe faktet që vërtetojnë “gjobëvënien” nga hetimi opozitar?
Duke dashur të mbrojë PS-në duke mbrojtur policinë lokale, kryeministri duket se nuk e ka parë videon që u transmetua, ku dallohen policët e Pogradecit teksa qëndrojnë të palëvizur në rrugën e larë me gjak nga viktima që vdiq në sytë e tyre. Minutat e Bratajt nuk e shpëtuan dot Egli Progën, sepse në drejtimin e Spitalit Publik të Pogradecit është një militant socialist, vetë kryetari i PS-së së rrethit, Erion Thëngjilli.
Dhe si për ta përkeqësuar situatën, në fjalimin e tij goditi dy prokuroret e Korçës, të cilat morën të pandehur policin militant Artur Lilo.
Këtu lind një debat i madh publik. Maja e pushtetit ekzekutiv godet me fjalim dhe jo me kallëzim pushtetin gjyqësor. Marrja në hetim e policit është bërë nga dy prokuroret, Dhorina Theodhori dhe Anjeza Kalanxhi. Të dyja magjistrate, të dyja, sipas kryeministrit, nuk e kanë haberin.
Nëse magjistratet e reja janë të paafta, të papërgjegjshme dhe nuk e kanë haberin, atëherë të tillë janë edhe ata që i kanë sjellë në sallat e gjyqit apo në zyrat e hetimit.
Magjistratet e çështjes janë prurje të drejtësisë së re, të asaj drejtësie që ka pompuar vetë aq fortë kryeministri. Ato janë testuar, shkolluar dhe përzgjedhur edhe nga anëtarë të kabinetit të tij. Ministri i Drejtësisë është në Bordin e Shkollës së Magjistraturës.
Atëherë, këto magjistrate “koti” tek e fundit janë produkt i një reforme “koti”, e asaj reforme që ka pjellë drejtësinë e re.
Ngecja te vdekja për të justifikuar suksesin këtë herë e djersiti kot kryeministrin e socialistëve. Rrëmimi i teserës së partisë në xhepat e Egli Progës është një akt nekrofilie që nxjerr bllof policinë e shtetit, e cila ka çuar në zyrën e kryeministrit autopsinë e të ndjerit me gjithë rrobat e kufomës.
Lokali i krimit nuk është i viktimës, kryeministër. Është i autorëve të krimit.
Pamjet treguan se nuk janë fare bare apo “lokale” si ato të Tiranës, por disa kthina me dy-tre tavolina që nuk të ndihmojnë dot për të bërë ndonjë biznes, si psh bizneset e “Xhaga” Xhakollit në Pogradec e Tiranë.
Tek e fundit vrasja mbeti brenda “teserës” së PS, disa bisnesmenë vranë një bisnesmen të së njëjtës parti, me një saktësim të vogël:
Kthina “bisnes” që kishte viktima, bashkë me teserën e partisë që e mbante me vete në xhep (me sa kuptohet për të zënë punë në shtet), nuk e kishin bërë njeri aq të lumtur sa të merrte rrugën për në shtëpi te familja që e priste, por të kthehej drejt vdekjes aty ku e prisnin militantë të tjerë me “grushte” në duar.