Detaje nga ngjarja në Vaun e Dejës/ Pati shkëmbim zjarri, shoferi i “Audit” u largua nga vendngjarja, u gjetën 30 gëzhoja

Aktualitet

Publikuar: 24/08/2024

Detaje nga ngjarja në Vaun e Dejës/ Pati shkëmbim zjarri, shoferi i “Audit” u largua nga vendngjarja, u gjetën 30 gëzhoja

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Rrenxa në Bushat të Vaut të Dejës.

Mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes personit në mjetin e blinduar tip ‘Audi’ me targa gjermane dhe një mjeti tjetër.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, raportohet se janë gjetur rreth 30 gëzhoja armësh të ndryshme.

Sakaq, mësohet se në momentin që është qëlluar automjeti ka qenë i ndaluar dhe pas shkëmbimit të zjarrit, drejtuesi është larguar nga vendngjarja.

Policia ka bërë identifikim e një personi të përfshirë në këtë ngjarje, por emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve.

Ndërsa mësohet se në konflikt janë persona të dyshuar me precedent kriminal që veprojnë në Dobraç, të Shkodrës, që njihet dhe si zona e Bajrave, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar.