Si e kërcënoi Ilir Meta BKT-në dhe askush nuk foli? Biseda me drejtorin mes turqve Ndue Maluta për Arjanën e miellit që nuk njihte Presidentin karagjoz. Disa fakte për SPAK-un

Krim & Korrupsion

Publikuar: 17/08/2024

Si e kërcënoi Ilir Meta BKT-në dhe askush nuk foli? Biseda me drejtorin mes turqve Ndue Maluta për Arjanën e miellit që nuk njihte Presidentin karagjoz. Disa fakte për SPAK-un

Pardje, në një konferencë për shtyp, Ilir Meta deklaroi: “Se nuk dua të them emrin e bankës, se nuk jam njeri i papërgjegjshëm që mund ta falimentoj atë bankë për 24 orë, duke i bërë thirrje gjithë shqiptarëve të tërheqin kursimet, çfarë kanë investuar nga ajo bankë, e çdo bankë, ta falimentoj më keq se Sueden… por nuk jam i papërgjegjshëm!!

Për cilën bankë që i kishte “ngrënë” hakun dhe nuk i kishte dhënë shërbimin u hakërrye, kërcënoi dhe aludoi i përgjegjshmi Ilir Meta? Ndër rreshta ai tha “se e kam privatizuar kur kam qenë kryeministër”.

Cila bankë është privatizuar në mandatin e Metës si kryeministër?

Banka Kombëtare Tregtare.

Jo pa qëllim ai e shpalli emrin e bankës duke mos e përmendur drejtpërdrejt atë. Por u kuptua qartë nga të gjithë se bëhej fjalë për BKT-në.

Megjithë mëkatet e veta me turkun “me shtatë gra” dhe Arianën e “miellit” aty, BKT është një nga bankat kryesore të nivelit të dytë në Shqipëri, ku kanë depozituar paratë mijëra shqiptarë.

Rrogat e shumë institucioneve publike kalojnë përmes BKT. Me defektet dhe burokracitë që shtohen në sezon veror, me sportele të përgjysmuara, me bankomate shpesh defektoze etj., BKT funksionon dhe shërben keq e mirë, për të gjithë njëlloj.

Çdo marrëdhënie me bankën, jo vetëm në BKT, fillon dhe është e lidhur me llogarinë. Në varësi të llojit, llogaria mund të aksesohet dhe përdoret për veprime të ndryshme bankare. Llogaria rrjedhëse është llogaria më me akses dhe përdorim më të gjerë, se përdoret nga individët, kompanitë, apo dhe partitë për të kryer pagesa si ato të pagave.

LSI, që është konvertuar së fundi në PL, ka ndryshuar shumë; nga kryetare “Mona” është bërë president “Likja”, nga të martuar ata janë bërë të divorcuar, nga me pushtet janë pa pushtet, nga akuzues janë kthyer në të akuzuar.

Kanë ndarë llogaritë në “SPAK”, por jo në BKT. Ky është edhe themeli i kërcënimit publik që bëri Ilir Meta ndaj BKT-së.

Për sa kohë e njëjta llogari ka ndryshuar logo, statut, pronar etj., ku kërkohen ligjërisht dhe formalisht letra nga gjykata, partia, ish LSI-ja, Mona… atëherë edhe BKT duhet t’i kërkonte ato.

Por Meta dhe Ilirët e pushtetit 30-vjeçar nuk e kuptojnë dot se çfarë do të thotë të zbatosh rregullat që kanë vendosur vetë, dhe për shkak të tyre të presësh me muaj apo me vite gjykatën të zbardhë një endim apo të lëshojë një vërtetim.

Atë gjykatë që e kanë krijuar vetë me 140 vota, apo të qëndrosh në radhë me orë të tëra në sportelet e BKT-së, bankën e turqve që e kanë “privatizuar” apo ja dhuruan po vetë.

Për këtë shkak, Iliri 55 kilosh ulëriti si “luan” i madh para LRI-stëve të vegjël, që do t’i bëjë të mijtin BKT-së që nuk u paguan rrogat, apo që nuk e lejon të mbajë të njëjtën llogari të LSI-së pa asnjë copë letër si Parti Lirie.

Përbetimi karagjoz “Unë ja Ilir Meta” ka përfunduar të dëgjohet nëpër sportele bankash për tu futur aty pa radhë apo pa letra, në emër të partisë së “lirisë”.

BKT: Banka që “privatizoi” Ilir Meta

Në korrik 1997, në mes të “luftës” civile në Shqipëri, Banka Kombëtare Tregtare u shkëput nga statusi shtetëror që mbante që nga viti 1993, kur ishte krijuar, dhe u bë Shoqëri Aksionere (SHA) me kërkesën e ministrit të Financave të asaj kohe, Arben Malaj.

Ndërsa procesi i privatizimit i BKT-së u përfundua tre vjet më vonë, në vitin 2000, kur ministër financash ishte Anastas Angjeli dhe kryeministër Ilir Meta.

Në fakt miratimi i privatizimit të BKT-së u bë nga Parlamenti shqiptar, në korrik 2000 që votoi për përkontratën e shitjes ndërmjet Ministrisë së Financave nga njëra anë dhe Konsorciumit të Investitorëve Ndërkombëtarë nga ana tjetër.

Shkurt, ministri filogrek Angjeli firmosi bashkë me kryeministrin patriot Meta që BKT të bëhej turke. Sot, pronar i BKT-së është Çalik Holding Anonim Şirketi, një shoqëri turke me qëndër në Stamboll dhe pronar 100% Ahmet Çalik.

Drejtorët kryesorë të BKT-së janë katër turq dhe dy shqiptarë: Kaan Pekin, Ugur Tadik, Skënder Emini, Ndue Maluta, Fatih Karli, dhe Mehmet Seyhan Pencabligil.

Ndër dy shqiptarët, Ndue Maluta është ‘katoliku i BKT-së’ që njihet nga i gjithë sistemi shtetëror dhe bankar kur duhet të kontaktosh me palën turke për probleme, mosmarrëveshje, qofshin ato dhe pazare të ndryshme.

Maluta ka 30 vjet që e njeh BKT-në nga brenda në çdo skutë e saj.

Për këtë shkak, një bisedë “imagjinare” që Ilir Meta zhvilloi para dy ditësh me Nduen e BKT-së po e sjellim sot, ashtu si nuk e tregoi në konferencën për shtyp vetë presidenti i PL-së:

Alo, i madh, si të kam, Ilir jam!

Si je shef, si i ke nga shtëpia punët, hallet mirë?

Mir, mirë, por ju po na i shtoni e jo paksoni hallet. O flori, ç’është një Ariana? Ariana aty te ju… si e ka hallin ajo? S’me njeh mu ajo, apo do ta bëj unë t’më njohi mirë, se mos është nai rob i atij plerës së Rilindjes se e paska dhe mbiemrin Xhafa?

Pse, jo… s’ka lidhje me të, po ajo është grua e mirë, s’ka mundësi të bëjë gabime me ty ajo. Si s’të njifka, ty tnjef gjith Shqipria?! Ja, ta marr t’i them menjëherë, po pse s`më the mua direkt për çfarë kishe nevojë?

O flori, e dërgova Petritin sot për tpaguar pagat e LSI, që është bërë Parti e Liris, te e njëjta, isoj llogaria që e ka pas Mona, po kjo shushka donte vendime gjykate, jo po statute, jo ku di unë çar dreqin donte, jo noter etj etj…. s’kam nerva t’merrem me Arjanat un se kam pun trrëxoj kodoshët e Rrilindjes me gjithë Dumdumanët e tyre. Kshu thui Arianës dhe Sejhanit, se kur jua dhash BKTn, s’prita vendimin e gjykatës un por i thash Cacit bëi shpejt letrat dhe hop e morën turqit e tu, apo jo, Flori? Se ti je i vjetër, i di mir ca gjëra… apo të dal nesër nTV e t’them “O milet, hiqini paret nga BKT, se do i humni t`gjitha si i humi Ilir Meta!

Joo shef ç`është ajo fjalë, rri rehat se e zgjidh unë, I thuaj atij burrit të shkojë nesër me transfertat e pagave dhe punë e kryer, rri qetë merru me punë të mëdha ti, kto të voglat i zgjidhim ne.

E pra Flori, mirë Flori, e dija që Nuja ka qen e do metet njishi i BKT…se kot stë majn katolik 100 karat npun muslimanët e Erdoganit o Flori, ahaaaahaa, hajt mirupafshim dhe duku se ke hum fare!

Kjo bisedë e imagjinuar u tregua po kaq banale nga vetë i zoti i saj, presidenti PL-isë dhe ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në një konferencë për shtyp ku u godit hapur pa asnjë teklif një bankë e nivelit të dytë, duke u kërcënuar me falimentim.

Në të njëjtën konferencë, u godit si gjithmonë “Dumdumani i poshtër”, që tashmë po kthehet në një normalitet nga veshët e shqiptarëve që presin drejtësi prej tij.

Më shumë se sa trapllëku mediatik i radhës së një presidenti pa tru, pa shtet dhe pa parti, shqetësues mbetet mosreagimi i gjithë sistemit bankar me në krye Bankën e Shqipërisë bashkë me Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Po deputeti Shalsi me deputetin Braçe në ç’plazh janë?

A nuk kanë fejsbuk atje…që të çirren e të mbrojnë “pavarësinë e sistemit bankar” dhe “depozitat e qytetarëve” nga rreziku Ilir Meta, që është edhe dekretues – përzgjedhësi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë por nga pardje edhe armiku numër nji i këtij institucioni të një rëndësie të veçantë?

Ish-presidenti Ilir Meta duhet ndaluar, sa s’është vonë, të kërcënojë në emër të “presidencës” së tij 30-vjeçare, bankat, prokurorët, kundërshtarët politikë, mediat, apo çdo kënd që i del para, edhe pse nga pozitat e një “të lojturi” publik që nuk njeh as ligjin, as moralin që vjen për shkak të tij.